Një studim i ri nga Universiteti i Agderit në Norvegji, i publikuar në revistën “Nutrients”, tregon se dieta e fëmijëve të vegjël mund të ketë ndikim në shëndetin e tyre mendor.
Studiuesit kanë analizuar të dhënat e 363 fëmijëve 4-vjeçarë dhe nënave të tyre, si pjesë e një projekti për ushqimin e hershëm dhe zhvillimin e shëndetit.
Sipas rezultateve, fëmijët që konsumojnë më shpesh fruta dhe perime kanë më pak shenja të problemeve si ankthi, depresioni apo tërheqja sociale.
Ndërkohë, konsumimi i shpeshtë i ushqimeve me sheqer dhe kripë lidhet me më shumë sjellje agresive dhe probleme të sjelljes.
Studiuesit shpjegojnë se këto sjellje mund të shfaqen që në moshë shumë të vogël dhe në disa raste vazhdojnë edhe gjatë viteve të shkollës.
Sipas tyre, faktorët si dieta dhe mënyra e jetesës mund të luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të shëndetit mendor të fëmijëve, pavarësisht kushteve familjare apo sociale.
Studimi thekson se identifikimi i hershëm i këtyre faktorëve mund të ndihmojë në parandalimin e problemeve më vonë në jetë.





