ROME, 22 mars 2013– Gjykata e Bolonjës ka dënuar me gjashtë vjet e tetë muaj burg policin Claudio D’Orazi, i shpallur fajtor për mashtrim seksual. Siç raportojnw mediat italiane D’Orazi kur ishte krye asistent me punë në Zyrën e imigracionit të kuesturës së Bolonjës kërkonte favore seksuale nga gra me kombwsi të huaj në këmbim të përshpejtimit të praktikave për lëshimin e lejeve të qëndrimit.

Sipas hetimeve të drejtuara nga prokurori Valter Giovannini e zëvendës prokurori Lorenzo Gestri, agjenti ka përfituar në gjashtë raste nga dy gra të ndryshme, njëra prej të cilave është paraqitur në gjyq si paditëse civile.

D’Orazi, 46 vjeç, nga Cesena, u arrestua më 13 mars 2012 e më pas u pezullua nga puna. Verifikimet kishin nisur që në shtator të një viti më parë. Duke përfituar nga detyra, D’Orazi kishte kontaktuar e u kishte bërë vizitë në shtëpi dy grave të huaja, të cilave u premtonte ndihmë për marrjen e dokumentit të qëndrimit me kusht që ato të kishin marrëdhënie seksuale me të.

“Është një sentencë shumë e ashpër – komentoi prokurori Giovannini – me të cilën, natyrisht, prokuroria është dakord. Urojmë që të vlejë si paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë të përsërisin fakte të tilla duke abuzuar me detyrën”.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/