24 dhjetor 2014 – Përpjekjet e Federatës së Basketbollit të Kosovës për anëtarësim në shtëpinë e basketbollit europian, FIBA, kanë tronditur Serbinë. Pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar pritet t’i hap rrugë Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për anëtarësim në shtëpinë e basketbollit europian, FIBA. Ky lajm ka tronditur mediat serbe. Kurse edhe zëvendës-presidenti i Federatës së Basketbollit të Serbisë, Dejan Bodirog nuk mund ta pranojë këtë vendim pasi i duket si një vendim 'skandaloz'.
“Ne jemi duke luftuar që Kosovën mos të bëhet anëtare e FIBA Evropës. Në nëntor ata u përpoqën ta bëjnë këtë por janë refuzuar. Atëherë ne ishim në gjendje për të parandaluar atë, por unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Takimi i ardhshëm i Bordit do të vendoset në mars, dhe pastaj ne do të shohim se çfarë ndodh”, deklaroi ai për Kurir.
Takimi i ardhshëm që do të mbahet në mars pritet të jetë vendimtar në pranimin e Kosovës në FIBA. Serbët janë duke iu frikësuar shumë këtij takimi dhe kanë thënë se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që Kosova të mos arrijë një gjë të tillë.





