Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka dhënë dorëheqjen e tij si lider i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet pas disa javësh protestash kundër sundimit të tij, por tha se ai do të mbetet kreu i shtetit.

Në një kongres të partisë në Serbinë qendrore, Vuçiç propozoi ministrin e mbrojtjes Millosh Vuçeviç për ta zëvendësuar atë si kreun e partisë, raporton Reuters.

Si dorëheqja ashtu edhe zëvendësimi i tij duhet të pranohen zyrtarisht në një seancë të mbyllur të kongresit.

“Milloshi është një zyrtar i përkushtuar ndaj SNS-së dhe ndaj idesë për një Serbi të pavarur dhe prosperuese”, tha Vuçiç gjatë fjalimit.

Vuçiç më herët kishte njoftuar se do të largohej nga drejtimi i partisë. Ai po ashtu njoftoi se duke nisur nga 28 maji do të nisë formimin e një lëvizjeje të re. Por, ai shtoi se do të vazhdojë të qëndrojë në partinë SNS.