Të shtunën e 13 tetorit, në Tiranë, konfirmohet një tjetër arritje e sportit durrsak. Teuta e Durrësit kurorëzon treguesit e saj optimalë në sportin e shahut, duke mundur të gjithë rivalët e saj. Fitorja më spektakolare mbetet ajo me Butrintin në përbërje të së cilës janë dy mjeshtrat e spikatur të nivelit ndërkombëtar si Ilir Seitaj dhe Ilir Karkanaqe.

Ajo që vlen të evidentohet është ruajtja e traditës së shkëlqyer të këtij sporti aq të preferuar dhe të dashur në Durrës, e krijuar veçanërisht nga kolosi i shahut Fatos Muça dhe ku konkuruan në vite emra të tillë si Erald Dervishi, Kozma Nasto, Eqerem Nurçe, Altin Çela, Hamza Xhakoni dhe deri tek dyshja e paplakur Harallamb Boshku dhe Lorenc Rama.

Kemi komunikuar të shtunën në mesditë më kryegjyqtarin e garave, të mirënjohurin Kristaq Andoni i cili na dha lajmin e gëzueshëm që Teuta përsëriti suksesin e vitin e kaluar, duke u vendosur në krye të ekipeve më të mira të vendit. Fitorja me Butrintin e vendosi Teutën 2 pikë mbi ekipin e Vllaznisë, në gjirin e së cilës aktivizohet ndër shahistët më të spikatur Franc Ashiku. Përplasja me Vllaznisë ndodhi sipas programit në turin e parafundit. Teutës i mjaftonte edhe barazimi për të arritur sigurimin e titullit kampion.

Por kostumi i trofeve, sigurisht do t’i qëndronte akoma më mirë durrsakëve nëse dilnin fitues edhe ndaj shkodranëve. Sipas Kristaq Antonit, të katër shahistët e Teutës luajtën me shumë vendosmëri dhe arritën të fitonin 4-0, duke siguruar një triumf të shpejtë dhe të merituar. Pas suksesit të mundjes së lirë vetëm një javë më parë në kryeqytet, vjen edhe sihariqi i një tjetër arritje të bujshme dhe të merituar. Shahu durrsak siguron titullin kampion për herë të gjashtë. Por cilët janë kampionët e rinj?

Sigurisht që dyshja safi made in Durrës Llambi Boshku dhe Lorenc Rama. Madje ky i fundit edhe pjesëtar i ekipit tonë përfaqësues, pjesëmarrës në olimpiadën botërore të Stambollit të gusht-shtator të këtij viti. Teuta u përforcua edhe me tri shahistë të tjerë si Dritan Mehmeti, Elton Babamusta dhe Agim Sinoimeri. Gjithashtu në përbërje edhe i biri i Llambit – Kostandini.

Teuta i fitoi të 11 ndeshjet, duke sjellë në Durrës një tjetër trofe. Kjo është pjesë e suksesit të punës së mirë që po bëhet në klubin shuëmsportesh Teuta, ku edhe shahu trajtohet si një sport i dorës së parë.