Pjesë e punës së mirë të klubit shumësportesh Teuta, është edhe përfaqësimi i ekipit të shahut. Në olimpiadën e fundit botërore të shahut organizuar në Stamboll nga fundi i muajit gusht e deri me 9 shtator, ekipi shqiptar përbëhej në shumicën dërrmuese nga durrsakë. Jo vetëm që në krye të këtij ekipi është Fatos Muça, legjendë e gjallë e shahut, por edhe dy durrsakët e tjerë Erald Dervishi dhe Lorenc Rama.

Të shtunën e kaluar në Tiranë, filloi kampionati kombëtar ekipor i shahut që përfundon me 14 tetor. Teuta përfaqësohet në këtë eveniment me shahistët Lorenc Rama, Harallamb Boshku, Elton Babamusta (i biri i shahistit të shquar Neritan Babamusta) dhe Agim Sinoimeri. Shahisti rezervë është Kostandin Boshku.

Lorenc Rama që luan në tavolinën e parë, shprehet me nota optimiste mbi këtë përfaqësim. “Është një garë e fortë, shpjegon Lorenci, por ekipi ynë është përgatitur të përfaqësohet sa më mirë. Kujtoj që jemi kampionia në fuqi e vendit dhe detyra jonë është të ruajmë titullin. Pretendentë janë edhe Shkodra, Saranda e ndonjë ekip tjetër.”