Papa Françesku duhet të “përqendrohet te Kisha Katolike dhe të na lërë ne të shqetësohemi për kufijtë”, tha sot sekretari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, përgjegjës për zbatimin e politikës së dëbimeve masive të emigrantëve.
Ky reagim vjen pasi Papa kritikoi ashpër dëbimet masive të emigrantëve nga administrata amerikane e Presidentit Donald Trump.
Papa Françesku dënoi dëshirën e Presidentit Trump për të vazhduar me dëbimet masive të emigrantëve, duke thënë se kjo politikë përbën një “krizë të madhe” që “prek dinjitetin e tyre”.
“Do të doja që ai të fokusohej në Kishën Katolike dhe të na lërë ne të shqetësohemi për kufijtë. A dëshiron të na sulmojë sepse ne po mbrojmë kufijtë tanë? Ka një mur rreth Vatikanit, apo jo? (…) Ne nuk mund të kemi një mur as rreth Shteteve të Bashkuara,” tha Sekretari Tom Homan , duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë .
Papa njihet për kujdesin e tij të veçantë ndaj çështjes së emigrantëve. Gjatë një audience publike në gushtin e kaluar, ai tha se “puna sistematike për të larguar emigrantët me çdo mjet” ishte “një mëkat i rëndë.”
Në vitin 2016, përpara zgjedhjeve të para presidenciale të fituara nga Trump, Papa Françesku tha se “një person që mendon vetëm për të ndërtuar mure… dhe jo për të ndërtuar ura, nuk është i krishterë.”
Duke iu referuar premtimit të Trump për të ndërtuar një mur në kufirin meksikan për të ndaluar emigrantët të hyjnë në SHBA, Françesku tha: “Unë them vetëm se ky njeri nuk është i krishterë nëse ka thënë gjëra të tilla. Duhet parë nëse i ka thënë në këtë mënyrë.”