Shtëpia e Bardhë të enjten i ka hedhur poshtë përsëri pretendimet e Rusisë se Ukraina ishte përfshirë në sulmin vdekjeprurës në sallën e koncerteve Crocus në afërsi të Moskës më 22 mars.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara i dhanë informata të hollësishme shërbimeve ruse të sigurisë për një sulm ekstremist në Moskë para se ai të ndodhte.

Ai i cilësoi akuzat e Rusisë se Ukraina është gjoja e përfshirë si “të pakuptimta dhe propagandë”.

Më herët të enjten, Komisioni Hetues i Rusisë tha se ka zbuluar prova se katër kryerësit e sulmit të 22 marsit, ku u vranë më shumë se 140 njerëz, kishin lidhje me Ukrainën.

Por, Kirby tha se është “tejet e qartë” se Shteti Islamik “është i vetmi përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Moskë javën e kaluar”, duke e përsëritur qëndrimin amerikan, të cilin e mban edhe Franca.

“Në fakt, Shtetet e Bashkuara tentuan të ndihmojnë në parandalimin e këtij sulmit terrorist dhe Kremlini e di këtë”, tha Kirby.