SHBA kanë filluar sulmet ndaj Sirirsë, duke goditur me rreth 50 raketa tomahok objekte të qeverisë siriane si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike në Idlib që la dhjetra të vrarë dhe qindra të plagosur.

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti mbrëmë një fjalim të shkurtër përpara mediave në Florida, ku njoftoi se kishte dhënë urdhër për goditje ushtarake kundër një baze ajrore në Siri, nga e cila ishin ndërmarrë sulme me armë kimike. Ai tha se nuk ka diskutim që Siria përdori armë kimike, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti tha se “është në interesin jetik kombëtar të SHBA-së të parandalojnë dhe të frenojnë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse”.

Presidenti Trump u bëri thirrje vendeve të qytetëruara të bashkoheshin në përpjekjet për të ndalur gjakderdhjen në Siri dhe për t’i dhënë fund grupit Shteti Islamik.

Sulmet amerikane u ndërmorën nga dy destrojerë të Marinës amerikane në Mesdheun lindor.

Kjo është goditja e parë e drejtpërdrejtë që SHBA ndërmerr kundër qeverisë së Assadit që nga fillimi i luftës civile në Siri gjashtë vjet më parë.

Raketat goditën bazën ajore Shayrat dhe kishin si objektiv avionët luftarakë sirianë dhe objekte të infrastrukturës në këtë bazë. Sulmet u ndërmorën rreth orës 8:45 sipas kohës së Uashingtonit.

Sipas mediave që citonin një zyrtar të lartë ushtarak amerikan, përpara lëshimit të raketave tomahok Pentagoni kishte njoftuar zyrtarët ushtarakë rusë përmes kanaleve ekzistuese të çtensionimit.

Është e paqartë nëse sulmet kundër objektivave të Assadit do të vazhdojnë.