12 janar 2014 – Gazeta "Sot" ne kryeartikullin e saj shkruan se pavarësisht protestave popullore dhe “jo” së mundimshme të Edi Ramës, armët kimike të Sirisë nuk i ndahen Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një tjetër plan dhe strategji për të shkatërruar armët kimike të regjimit sirian në Shqipëri. Ndërsa në Tiranë flitet me një ftohje të marrëdhënieve me SHBA, realiteti është ndryshe, pasi Uashingtoni ka një plan rezervë për të shkatërruar një pjesë të helmit të Asadit në Shqipëri. Çfarë ka ndodhur? Pas shprehjes së zhgënjimit nga ana e Uashingtonit, qeveria “Rama” u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u takuar dhe për të biseduar me qëllim që Shqipëria të bëhet sërish pjesë e operacionit për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Lajmi është konfirmuar nga Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Yee. Zyrtari i lartë amerikan, pohoi se Departamenti i Shtetit mirëpret kërkesën e qeverisë shqiptare për të biseduar, me qëllim për të shqyrtuar kërkesën e SHBA që Shqipëria të bëhet pjesë e operacionit për shkatërrimin e armëve kimike. Deklarata lë të kuptohet se pas përfundimit të protestave popullore, Shqipëria nuk ka hequr dorë nga vendimi për t’u bërë pjesë e operacionit. Me sa duket pas bllokimi të planit të parë, i cili parashikonte asgjësimin e të gjithë arsenalit të armëve kimike siriane në Shqipëri, vendi ynë është pjesë e një tjetër plani që po zbatohet aktualisht. "Ne kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë dhe të fuqishëm me Shqipërinë në një gamë të gjerë veprimtarish, duke përfshirë sferën e sigurisë, sferën ekonomike, tregtare, kulturore dhe politike. Ky aspekt potencial i bashkëpunimit tonë, përsa i përket shkatërrimit të armëve kimike, në fund rezultoi i pamundur, por ne e mirëpresim gatishmërinë e treguar nga qeveria e Shqipërisë për t'u takuar dhe biseduar me ne dhe për të shqyrtuar kërkesën tonë. Ne vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerë të tjerë të interesuar për të bërë atë që është e nevojshme të bëhet në shkatërrimin e armëve kimike siriane sipas kalendarit që kemi përcaktuar. Jemi të sigurt se do të ketë edhe raste të tjera për lloje të ngjashme bashkëpunimi me Shqipërinë në të ardhmen”, pohoi Hoyt Yee.
Operacioni për asgjësimin e armëve kimike
Shumë lajme qarkullojnë për asgjësimin e armëve kimike në vendet fqinje, Italinë dhe Greqinë. Fillimisht u përfol se armët kimike do të shkatërroheshin në Itali, por më pas në Greqi u dha alarmi se armët kimike do shkatërroheshin në perëndim të Haniasë, në Kretë. BBC njoftoi se ngarkesa e parë është nisur nga porti “Latakia” në Siri me anijen “Ark Futura” e shoqëruar me anije luftarake ruse dhe kineze. Sipas planit, pritet që anija të mbërrijë në Itali dhe ngarkesat toksike të transportohen në ujërat mes Greqisë dhe Italisë, ku do të shkatërrohen, por nuk jepen detaje të tjera. I gjithë operacioni do të bëhet nën koordinimin e Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin dhe përdorimin e Armëve Kimike. Por, ndërkohë në Greqi lajmi i BBC-së ka shkaktuar irritim. Specialistë dhe ekologë mendojnë se përzierjet kimike janë substanca të rënda dhe se metoda e hidrolizës nuk do të mund të çaktivizojë substancat toksike. Sipas tyre, rajoni mes Adriatikut dhe Mesdheut është bërë tashmë një “Varrezë kimike” nga mafia italiane. Shtypi shkruan se mafia në 20 vite ka zhytur rreth 30 anije me mbeturina të kimikateve. Nuk dihet se çfarë roli do të luajë Shqipëria në këtë operacion.





