Edhe ditën e sotme Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) vijoi aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në pyllin e Sodës dhe në Plazhin e Vjetër.

Këtë të enjte, aksioni vijon në plazhin e Vjetër ku është shembur një objekt bar kafe me bazë hekuri dhe betoni.

Deri tani nuk ka pasur kundërshtime, pasi fillimisht po shemben objektet e braktisura prej kohësh.

Në total 40 objekte që do të shemben gjatë këtij aksioni të IKMT, ndërsa deri më tani janë shembur dy objekte.

Operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje nisi në qershor të këtij viti dhe rifilloi në shtator përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Aktualisht veç zonave bregdetare po shemben objekte pa leje edhe përgjatë akseve kombëtare.