“Peku fisio center”, një ndër klinikat më moderne të hapur në pranverë të këtij viti, nën drejtimin e fizioterapistit durrsak Enis Peku, është qendra e fizioterapisë dhe rehabilitimit që i mungonte qytetit të Durrësit, me ambiente komode dhe e kompletuar me aparatura të tekonologjisë së fundit.

Enis Peku, 28-vjeçari i diplomuar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike dhe studimet në Master të Shkencave në po të njëjtin fakultet, vendosi të hapë këtë klinikë në qytetin tonë, pas shtatë vitesh përvojë pune në Tiranë në klinika prestigjioze, duke punuar me doktorë ortopedë të huaj dhe shqiptarë.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Peku tregon më shumë rreth shërbimeve që ofrohen në klinikën e tij, rëndësisë së jashtëzakonshme dhe benefitet që kanë pacientët nga trajtimet gjatë seancave fizoterapeutike, kulturës së durrsakëve rreth fizioterapisë etj.

INTERVISTA:

-Çfarë shërbimesh ofroni në klinikën tuaj?

Në klinikë ofrohen trajtime për shumëllojshmëri diagnozash, ndër to mund të përmendim:

  • Spondiloartroza Cervikale
  • Lumbalgji ( Dhimbje Mesi )
  • Shatalgji (Nervi Ishiatik )
  • Hernie Diskale
  • Problematika të shtyllës kurrizore (Skoliozë, Kifozë)
  • Gonartrozë, Koksartrozë
  • Trajtime Post Operatore
  • Fraktura të ndryshme
  • Dëmtime Sportive (Distorsione, Kontuzione etj)
  • Probleme Muskulare
  • Paraliza të Ndryshme (Hemiplegji, Paralizë Faciale, Paraliza të Pleksuit Brakial etj)…

-Është i vështirë dhe fitimprurës profesioni i fizioterapistit në Shqipëri?
Profesioni i fizioterapistit është një nga profesionet më të lodhshme dhe të mundimshme, pasi rreth 60 – 70 % e punës kryhet në mënyrë manuale. Është një profesion që do shumë vullnet, forcë dhe përkushtim maksimal. Si çdo profesion tjetër dhe fizioterapia ka fitimet e veta, por unë jam munduar t’i përshtatem tregut dhe nivelit të jetës në Durrës, në lidhje me çmimet e klinikës.

-Përvoja juaj e mëparshme, bashkëpunimet profesionale që keni pasur.
Kam punuar për rreth shtatë vite në Tiranë në dy klinika prestigjioze, duke punuar me doktorë ortopedë të huaj dhe shqiptarë. Pas kësaj eksperience vendosa që profesionin tim ta ushtroj në qytetin tim duke investuar në hapjen e klinikës sime.

-Cilat janë rastet më të shpeshta që frekuentojnë më tepër qendrën tuaj dhe cilat grupmosha kanë nevojë më shumë për një fizioterapist?
Rastet më të shpeshta janë personat që kanë kryer operacione ose dëmtime të llojit fraktura, të cilët e kanë të detyruar pjesën e fizioterapisë. Por nuk mungojnë dhe personat me probleme të tjera që vijnë nga mungesa e aktivitetit, mund të veçoja dhimbjet e mesit dhe të qafës etj. Grupmoshat janë të ndryshme, por pjesa më e madhe janë mosha mbi 35-40 vjeç.

-A janë të informuar durrsakët dhe shqiptarët në përgjithësi për benefitet që vijnë nga një mjek-fizioterapist apo thjesht nga një seancë fizioterapie?
Sa vjen e po rritet informacioni që kanë pacientët rreth përfitimit që ato marrin nga seancat fizoterapeutike. Por duhet akoma shumë punë rreth faktit të kulturës së trajtimit.
Dua të them që çdo patologji ka një numër të caktuar seancash të cilat vendosen nga fizioterapisti dhe këto seanca duhen të ndiqen me përpikmëri që të arrihet qëllimi final.
Shumë pacientë mendojnë që trajtimi mbaron në momentin që ai ndihet më mirë dhe e ndërpret terapinë, ose ndodh e kundërta, që pacientë të tjerë e ndërpresin terapinë pas 3 a 4 seancash duke menduar që nuk do të kenë asnjë përmirësim. Këto janë gabimet që bëjnë pacientët. Terapia është individuale duke u bazuar në protokollet përkatëse.

-Kur duhet t’i drejtohemi një fizioterapisti?
Rastet janë të shumta, që nga sëmundjet reumatizmale, dhimbjet e ndryshme, kontraksionet, problemet me uljen dhe ngritjen e peshave etj. Por këshilla më e mirë është që njerëzit duhet t’i drejtohen fizioterapistit në fillimet e para të këtyre problemeve dhe jo t’i lënë simptomat të përkeqësohen.

-Sa e ndihmon një seancë fizioterapie një person pas një ndërhyrjeje kirurgjikale?
Pas ndërhyrjes kirurgjikale mund të themi me plot gojë, që fizioterapia e ndihmon personin në masën 90 %, pra është tejet e rëndësishmë ndjekja e seancave fizioterapeutike.

-Përsa u takon mjekimeve apo trajtimeve popullore, që mund të përdoren në shtëpi, keni ndonjë këshillë?
Në fakt në fizioterapi nuk është se ka shumë mjekime popullore, pasi shumica e punës kryhet me metoda manuale, por këshilla më e mirë është që sidomos për personat e moshës mbas të 30-ve duhet të kryejnë sa më shumë sport, ecje sportive, ushtrime streching…, pra të kenë një jetë aktive, gjë e cila pakëson shumë problemet me muskujt dhe kockat.

*(Klinikën Peku mund ta gjeni në lagjen nr 8, rruga “Kastrioti” përballë Pediatrisë, kati i parë, ku ofrohet dhe parking i rezervuar.)

Videoja më poshtë me momente nga puna e fizioterapistit Peku:

S.L.