Vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëndetësor falas te mjeku i familjes. Nuk do të ketë më asnjë tarifë, asnjë pagesë për mjekun e familjes. Lajmin e mirë për të gjitha familjet shqiptare, e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së sotme për gazetarët, që ishte dhe e fundit për këtë vit.

“Bazuar te projekti ynë i madh kombëtar i check-up-it falas për 870 mijë qytetarë të moshës 40-65 vjeç që e përfitojnë këtë kontroll shëndetësor çdo vit, ne iu kemi kursyer qytetarëve 45 milionë dollarë. Këtë shifër ta shënojnë dhe ta mbajnë mend mirë të gjithë ata që janë vërsulur në mënyrë barbare kundër këtij projekti dhe që e kanë përfshirë në listën e shënjestrave për të gjuajtur me baltë.

Nga ana tjetër, për herë të parë kemi vendosur bazën për të pasur atë që çdo shtet normal e ka prej shekujsh apo prej dekadash, atë që ne na mungon; një panoramë të gjendjes shëndetësore të popullsisë dhe një instrument për të identifikuar në kohë probleme që janë në zhvillim dhe që mund të parandalohen dhe për të përcaktuar edhe gjithë profilin e politikave dhe shpenzimeve në shëndetësi”, u shpreh Rama.