Pas skandalit me raportin e UEFA-s, për trukime të ndeshjeve nga ana e Skëndërbeut, ka folur publikisht, lidhur me këtë skandal, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka.

Duka ka thënë se skuadra e Skënderbeut është kampione dhe titulli nuk i hiqet. Ai ka sulmuar edhe Erjon Braçen, që njihet si një nga deputetët më të zjarrtë të skuadrës së Partizanit.

Në një intervistë për Top-Channel, Duka ka thënë se:”Nga pikëpamja juridike ne nuk kemi se çfarë të bëjmë më tepër, sepse po të lexosh statutin e FSHF-së, shkalla më e lartë e gjykimit është CAS-i. Ai komision ka të drejtë ta përjashtojë edhe nga kampionati shqiptar, por edhe fare nga futbolli, megjithatë ka marrë atë vendim që ka marrë”.

Me tej, Duka shton se: “Pavarësisht se ndonjëri ka pasur dëshirë ta dënojnë me vdekje, ata e kanë dënuar me një vit mospjesëmarrje në kupat e Europës”.

Për Braçen i cili është dhe tifoz i Partizanit, , ai i thotë se: “Për mua, futbolli është gjëja më e mirë që ka Shqipëria, pa dashur të mohoj problematikat që ka. Ka 1001 probleme, sepse është një lojë, ka pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, ka emocione të mëdha, ka garë brenda, por është gjëja më e mirë që ka Shqipëria. Dhe më vjen keq, aq më tepër kur flet ndonjë palaço apo klloun nga politika. Ndonjë klloun i vogël kërkon të hedhë baltë mbi futbollin tonë”.

Ndërkohë menjëherë më pas ka reaguar edhe Brace duke u marrë personalisht me Dukën dhe duke nxjerrë disa detaje në lidhje me vëllain e Dukës dhe duke shtuar se ai ishte deputet falë zgjedhjes së ndershme të qytetarëve.

“Tani një gjë personale. Armand, mua në 20 vite në politike nuk më njeh kush për palaço apo klloun. Pyet tët vëlla për këtë se të tregon. Kam pasur mendjen dhe bindjen time, mbi to kam folur pa pyetur hiç sesa parà ka pasur në lojë, e sa parà ke pasur ti aga në lojë. Jo! Kam thënë gjithnjë atë që mendoj, pa u ndikuar nga ndokush. Mbi të gjitha kam thënë fort të vërtetën! Nuk kam bërë kurrë kompromis me kënd për të, me kosto personale natyrisht. Ky quhet karakter dhe dinjitet. Kllouni dhe palaçoja shesin e blejnë dhe këtë ta shesin për ndershmëri! Unë këtë nuk do e bëj kurrë! Ndaj jam këtu ku jam, i zgjedhur. Kupton? I zgjedhur, i votuar nga mijëra njerëz të ndershëm, të cilëve u jam pafund mirënjohës për besimin. Pa parà Armand, thjesht me punë, nder, dinjitet dhe pa kompromis për të vërtetën. Kot ta përmend këtë të fundit, ti s’ke lidhje me të”.