Mosmarrëveshjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë sjellë pasoja edhe në terren.

Numri i turistëve bullgarë në pikat turistike maqedonase ka rënë ndjeshëm. Agjencia vendase për mbështetjen e turizmit njoftoi se krahasuar me vitin 2019, para pandemisë, gjatë këtij viti janë regjistruar 100 mijë turistë më pak. Kreu i kësaj agjencie Lubço Janevski, pohon se në këtë fenomen kanë ndikuar dukshëm tonet e ashpra që kanë përdorur ndaj njëri-tjetrit zyrtarët e Shkupit dhe Sofjes në mesin e përplasjeve mbi çështjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas, e kërkesës së Bullgarisë për përfshirjen bullgarëve në preambulë, duke e kushtëzuar këtë me procesin e integrimit të vendit fqinj në BE.

“Situata politike ka bërë që numri i turistëve bullgarë në Maqedoninë e Veriut të bjerë nga 60 deri në 70%. Sigurisht, kjo gjendje është reflektuar dhe në krahin tjetër”, pohoi Janevski. Kryetari i Odës Ekonomike të turizmit  Arkan Kerim, pohon ndërkohë se është vënë re edhe një rënie e numrit të turistëve edhe nga Kosova e Shqipëria.

Ai insiston të shfrytëzohet raporti i qëndrueshëm politik që ka Maqedonia e Veriut me të dyja vendet për të tërhequr sa më shumë vizitorë prej tyre. Ndër qendrat më të frekuentuara turistike mbeten Ohri dhe Struga gjatë verës, dhe Mavrova e Kodra e Diellit gjatë dimrit.

Shkupi nga ana tjetër frekuentohet gjatë tërë vitit. Turqia vazhdon të mbetet vendi nga ku vijnë më shumë turistë. Pastaj vijnë me radhë Holanda, Polonia e Anglia, pohojnë zyrtarë maqedonas, sipas të cilëve kryesisht bëhet fjalë për turistë mbi 50 vjeç, ndërkohë që të rinjtë me sa duket e anashkalojnë Maqedoninë Veriore.