Breshia do të luajë në Serinë C sezonin e ardhshëm dhe ky fakt nuk është pritur mirë nga tifozeria e skuadrës së Emanuele Ndojt. Vendimtar ka rezultuar takimi i kthimit me Kosencën, ku barazimi 1-1 në shtëpi dhe humbja 0-1 në transfertë ka bërë që skuadra të zbresë në Serinë C.

Ndërkohë, takimi u mbyll me trazira pasi shumë tifozë hodhën flakadanë e tymuese në fushë duke ndërprerë edhe ndeshjen. Trazirat kanë nisur edhe jashtë ambienteve të stadiumit, aty ku të shumta ishin përleshjet me policinë.

Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për 9 të plagosur por numri i tyre pritet të rritet duke qenë se trazirat kanë zgjatur me orë të tëra. Jashtë stadiumit, tifozët kanë djegur edhe makinën e mbrojtësit të Breshias, Huard. Tifozeria mike ka qëndruar e mbyllur në stadium deri në orët e para të mëngjesit, teksa nuk kanë munguar as tentativat e vendasve për të hyrë në stadium dhe për t’u përleshur.