Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim dy zyrtarë të Bashkisë Korçë, Zh.B. dhe E.Gj., të akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Hetimet, të cilat nisën në vitin 2022, zbuluan se dy zyrtarët, përkatësisht Drejtoreshë e Drejtorisë së Urbanistikës dhe Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit, kanë kryer shkelje të rënda në zbatimin e taksës për ndikimin në infrastrukturë për ndërtimet e reja.
Në të paktën 20 raste, këta zyrtarë kanë aplikuar taksë më të ulët se ajo e përcaktuar me ligj, duke favorizuar subjektet ndërtuese në mënyrë të paligjshme.
Konkretisht, në 18 raste, taksa është ulur nga 8% në 3% dhe në dy raste të tjera, nga 4% në 3%.
Në rastin e ndërtimit të një kompleksi me katër pallate në lagjen nr.3 të Korçës, ndërtuesit kanë paguar taksë prej 3%, me pretendimin se do të shfrytëzohej si kompleks turistik, ndonëse ndërtesat ishin të destinuara për banim dhe shitje. Sipas ligjit, për ndërtimet me qëllim banimi apo njësi tregtare në zonat me status ansambël arkitektonik, taksa për ndikim në infrastrukturë duhet të ishte 8% e çmimit të shitjes për metër katror.
Përveç kësaj, prokuroria vë në dukje se dy zyrtarët kanë firmosur vërtetime të rreme për pajisjen me certifikatë përdorimi, duke fshehur qëllimin tregtar të ndërtimit, edhe kur apartamentet ishin të shitura.
Prokuroria thotë se veprimet e Zh.B. dhe E.Gj. përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe kanë sjellë dëm ekonomik për Bashkinë e Korçës, si dhe favorizim të padrejtë të bizneseve ndërtuese, duke cenuar interesin publik.