Shkencëtarët besojnë se kanë gjetur “shkakun” që çon në mpiksjen e gjakut pas marrjes së vaksinës së Oxford-AstraZeneca kundër Covid-19.

Ekipi mjekësor në Cardiff dhe SHBA ka treguar në detaje të hollësishme se si një proteinë në gjak tërhiqet nga një komponent kyç i vaksinës.

BBC raporton se ata mendojnë se kjo nis nga një reaksion zinxhir, që përfshin sistemin imunitar, që mund të kulmojë në mpiksje të rrezikshme të gjakut.

Vaksina mendohet se ka shpëtuar rreth një milion jetë nga Covid. Megjithatë, shqetësimet për mpiksjen e rrallë të gjakut kanë shqetësuar njerëzit.

Tashmë po studiohet se si mund të parandalohet mpiksja e gjakut. Ekipit të Cardiff-it iu dha fonde emergjente nga qeveria për të gjetur përgjigjet.

Shkencëtarët e vetë AstraZeneca gjithashtu iu bashkuan projektit kërkimor pasi u publikuan rezultatet e mëparshme nga ekipi.

Një zëdhënëse e AstraZeneca theksoi se shpjegimi i plotë përse ndodh mpiksja e gjakut ende nuk ishte vendosur.

“Megjithëse kërkimi nuk është përfundimtar, ai ofron njohuri interesante dhe AstraZeneca po eksploron mënyra për të shfrytëzuar këto gjetje për të hequr këtë efekt anësor jashtëzakonisht të rrallë,” shtoi ajo.