Dy të rinj janë shoqëruar në polici, pasi shkruan emrin e kryeministrit Edi Rama në kosha plehrash. Sipas ‘BalkanWeb’ janë ndaluar Klodjan Leka dhe Bislim Lakba, pasi janë kapur duke shkruajtur në kazanë plehrash në rrugën ‘Muhamed Gjollesha’ në Tiranë.

Fill pas miratimit në parim të projektligjit për mbetjet urbane dje në Kuvend, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë u shprehën se indinjatën e tyre ndaj deputetëve do ta shprehin duke shënuar emrat e tyre nëpër kosha plehrash.

Ndërkohë, emra të tjerë deputetësh janë shkruar nëpër zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa fotot janë publikuar nga Nisma#Thurje.

Pas shumë debatesh dhe diskutimesh në seancën plenare, ligji kaloi në parim me 63 vota pro, ndërsa përçahu mazhorancën. Jashtë ambienteve të Kuvendit, shoqëria civile dhe qytetarë të thjeshtë protestuan për orë të tëra në shenjë kundërshtie për këtë ligj, duke e cilësuar miratimin e tij, tradhtinë më të madhe kombëtare që i është bërë këtij populli.