SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca i kanë shpërndarë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së një draft të projektrezolutës së përbashkët që dënon sulmin me armë kimike të cilin në Idlib të martën e kryen pjesëtarët e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad dhe ku kërkohet një hetim për të gjetur përgjegjësit.

Ndërkaq Organizata e Kombeve të Bashkuara mori vendim që sulmi në Idlib të hetohet në kuadër të krimeve të luftës.

Ndërsa reagimet e shoqërisë ndërkombëtare ndaj sulmit me armë kimike në Idlib të Sirisë vijnë duke u rritur.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot do të mblidhet në një mbledhje urgjente për t'i bërë një vlerësim situatës.   

Nuk dihet nëse projektrezoluta në takimin e sotëm do të kalojë për në votim.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kërkoi që përgjegjësit për sulmin, i cili shkaktoi vdekjen e 100 personave, ku shumica ishin fëmijë, të japin llogari.

Në deklaratën me shkrim të bërë nga ana e Sekretarit Soltenberg rikujtoi se në bazë të marrëveshjes për armë kimike të cilën Siria e nënshkroi në vitin 2013, është i ndaluar përdorimi i armëve kimike të cilat mund të shkaktojnë vdekje ose dëmtime të përhershme të njerëzve.

Duke e bërë të ditur se kësaj norme ndërkombëtare duhet ti përmbahen plotësisht, Stoltenberg tha se Siria, si palë nënshkruese e kësaj marrëveshjeje, është e obliguar ti përmbahet plotësisht dispozitave të kësaj marrëveshjeje.  

Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres duke shprehur shqetësimin e thellë nga sulmi me armë kimike tha se Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka filluar të mbledh të dhëna në lidhje me sulmin në Idlib.

Rusia dhe Kina kanë vendosur veto ndaj një projektrezolute të ngjashme për sanksione ndaj regjimit të Asadit mbi akuzat për sulme me armë kimike, e cila i është propozuar KS i OKB-së në shkurt.

Në projektrezolutën e re kërkohet të dënohen sulmet me armë kimike në Siri, kryesisht në Idlib.

Guterres bëri të ditur se përdorimi i armëve kimike paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar.

Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura organizoi një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Marrëdhënie me Jashtë, Federica Mogherini.

Mistura tha se mendojnë që sulmi në fjalë është kryer nga ajri.

Duke e bërë të ditur se në lidhje me sulmin ende nuk kanë të dhëna të mjaftueshme, Mistura dha shenja se prapa kësaj ngjarjeje qëndron regjimi i Esadit.

Edhe Mogherini këtë sulm e cilësoi si “të tmerrshëm”, ndërsa shtoi se kjo është njëra prej krimeve më të shëmtuara të luftës.

“Përgjegjësit e këtij krimi nuk duhen të mbeten pa ndëshkim pa marr parasysh se për kë bëhet fjalë”, deklaroi Mogherini.

Kryeministrja e Anglisë, Theresa May bëri të ditur se është trishtuar nga lajmet për përdorimin e armëve kimike nga ana e regjimit të Esadit.

“Në qoftë se arrihet të dëshmohet, atëherë kjo do të jetë një provë tjetër për barbarizmin e regjimit sirian”, deklaroi May.

May theksoi se Esadi nuk do të ketë të ardhme në Siri të qëndrueshme, ku të gjithë sirianët do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, ndërsa i bëri thirrje të gjitha palëve përkatëse për të siguruar kalimin drejt një Sirie pa Esadin.

Edhe Ministri i Jashtëm i Anglisë, Boris Johnson deklaroi se do ti paraprijnë përpjekjeve ndërkombëtare për marrje në pyetje të përgjegjësve.

Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel theksoi se do të monitorojnë nga afër hetimet e sulmeve nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në deklaratën e bërë nga Ministria e Jashtme e Francës regjimi i Esadit u akuzua hapur për sulmin tinëzar.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault theksoi se udhëheqja amerikane duhet ta qartësoj qëndrimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj Sirisë.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se sulmi i urryer me armë kimike në Siri, i cili si objektiv mori njerëzit e pafajshëm në mesin e tyre gra dhe fëmijët, nuk do të injorohet nga ana e botës së qytetëruar.

Këto veprime të pabesa të regjimit të Beshar Esadit janë rezultat i dobësisë dhe pavendosmërisë së qeverisë së mëparshme të Barack Obama-s.

Ndërsa edhe Liga Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik dënoi sulmin në Siri dhe i bëri thirrje shoqërisë ndërkombëtare për tu vënë në veprim për ndëshkimin e përgjegjësve për këtë sulm.

Në sulmin me armë kimike që regjimi i Esadit ndërmori dje në mëngjes ndaj vendbanimit Han Shejhun të Idlibit janë vrarë më shumë se 100 civilë, në mesin e të cilëve shumica ishin fëmijë, ndërsa nga gazi janë prekur 500 persona./TRT