Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti për gjysmëfinalet e Champions League. Përballje të nxehta dhe emocionuese. Katër skuadrat e kualifikuara garantojnë ndeshje të nivelit maksimal dhe drithërima për tifozët. 

Kështu, goglat e tërhequra nga ish-mesfushori i Interit Dejan Stankoviç kanë vënë përballë Bajernin e Mynihut me Atletikon e Madridit, ndërsa sfida tjetër është ajo mes Mançester Sitit dhe Real Madridit.

Mançesteri i Pelegrinit po shijon për herë të parë pjesëmarrjen në këtë raund të Ligës së Kampioneve dhe kërkon që të shkojë sa më gjatë, pa u ndier nën presion. Reali do Champions-in për të shpëtuar sezonin zhgënjyes në kampionatin vendës (u eliminua nga Kupa, renditet i treti në kampionat).

Bajerni dëshiron që të largojë Pep Guardiolën me një trofe të rëndësishëm si Champions-i, misioni që pati prej ditës së parë në krye të klubit gjerman. Ndërsa Atletiko kërkon që të thyejë tersin, pas dy finaleve të humbura. Kush do t’ia dalë? Duelet u mësuan sot, ndeshjet e para luhen më 26-7 prill dhe të kthimit më 3-4 maj. Finalja e madhe luhet në Milano më 28 maj.