Këtë të mërkurë, Luis Rubiales u kthye në Spanjë nga Republika Domenikane dhe ai u dërgua menjëherë në paraburgim mes hetimeve në vazhdim për korrupsion në Federatën Spanjolle të Futbollit, ku ai mbante postin e presidentit.

Rubiales po hetohet për marrëveshjen që bëri me Arabinë Saudite në vitin 2020, për ta organizuar Superkupën e Spanjës në Rijad.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i ka mirëpritur këto hetime dhe shfrytëzoi një mundësi tjetër për të goditur Rubiales, me të cilin u përplas në disa raste gjatë viteve.

“Kam vite që denoncoj atë që po ndodh në Federatë dhe me disa drejtorë, jo të gjithë. Duhet të kishte ndodhur më herët dhe disa autoritete do të kishin marrë masat që duhej të merrnin me ankesat e bëra. Por është mirë sepse na mundëson të përballemi me më shumë optimizëm të ardhmen e institucionit amë të futbollit që është Federata, sepse një pjesë e madhe e atyre që e kanë korruptuar atë institucion nuk janë më. Kam parë një përmbledhje të Rubiales dhe mendoj se është përcaktuar shumë mirë nga xhaxhai i tij Juan. Ai është një gënjeshtar patologjik. Ata që e njohin e kanë ditur këtë për një kohë të gjatë”, tha Javier Tebas.