Faqja ruse “Fontanka” ka publikuar foton e personit që dyshohet të jetë atentatori në metronë e Shën Pjetërburgut.
Fotot tregojnë një person teksa hyn në metronë Petrogradskaya 20 minuta përpara shpërthimit në stacionin e Institutit të Teknologjisë. 
Foto janë marrë nga kamerat e sigurisë dhe janë publikuar në shumë media ruse, përfshirë “Moscow Time”. 
Ndërkohë, sipas faqes së internetit të policisë së Shën Pjetërburgut, uniformat blu janë në kërkim të informacioneve mbi personin në fjalë. 
Me siguri veshja e personit ka tërhequr vëmendjen e hetuesve, por megjithatë përfshirja e tij në këto akte terrori duhet ende të konfirmohet nga autoritetet.

Një shpërthim i dyfishtë ka tronditur metronë e Shën Pjetërburgut gjatë kësaj të hëne, duke shkaktuar të paktën 10 të vdekur.
Shpërthimet kanë ndodhur në stacionet pranë sheshit “Sennaya Ploschad”, i cili është mbuluar krejtësisht nga tymi, si dhe pranë universitetit “Tekhnologichesky Institute”.

Presidenti Vladimir Putin ndodhej në Shën Pjetërburg këtë të hënë për bisedime. Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të thotë se presidenti është informuar mbi shpërthimet. Putin vizitonte qytetin e Shën Pjetërburgut sot dhe pritej të fliste edhe me homologun bjellorus më vonë gjatë ditës.

Në një deklaratë urgjente të tij, pasi thuhet të ketë lënë Shën Pjetërburgun, Putin ka thënë se Rusia do të marrë të gjitha masat për t’i ardhur në ndihmë të plagosurve. “Autoritetet e qytetit dhe, nëse nevojitet, autoritetet federale do të ndërmarrin të gjitha masat për të mbështetur familjet e viktimave dhe të të plagosurve”, është shprehur Putin.