Gjashtë turistë të huaj, mes të cilëve dhe një femër, të cilët po udhëtonin me jahtin e tyre, kanë rrezikuar jetën në ujërat e Adriatikut. Një avari e shkaktuar në motorin e jahtit turistik rus, “Princesha Sofi”, i cili ishte nisur nga Korfuzi në drejtim të Malit të Zi, për pak i ka kushtuar jetën ekupazhit prej gjashtë personash. Mësohet se gjashtë të rinjtë kanë konstatuar tym që dilte nga motori i jahtit dhe për rreth dy orë kanë qenë të terrorizuar dhe në gjendje paniku, derisa më pas kanë lajmëruar autoritetet portuale të Durrësit. Jahti turistik me gjatësi 18 metra dhe me 6 persona në bord, një anglez dhe 5 rusë, ka pësuar defekt ne motor dhe ka dhënë sinjalin SOS në afërsi të kepit te Selitës, rreth 5 milje larg tij dhe 15 milje larg Durrësit. 

Sinjali i është përcjellë menjëherë qendrës operacionale të Rojës Bregdetare në Durrës, të cilët kanë nisur mjetet për të shpëtuar jahtin. Burime të kapitenerisë së qytetit bregdetar, bëjnë me dije se veliera ruse "Princesha Sofi", me flamur britanik, është ndihmuar për të dalë në breg, nga motovedeta R-117 e Flotiljes së Veriut. Jahtika shpëtuar nga mbytja në orët e pasdites, në afërsi të brigjeve të Durrësit. Incidenti ka ndodhur rreth 5 milje larg kepit të Selitës. Personat që ndodheshin në jaht u detyruan, që të paktën për një ditë, ta ndërprisnin udhëtimin luksoz në mes. Pas kësaj ngjarje, ata kanë qëndruar në qytetin bregdetar për të kaluar natën, ndërsa pas 24 orësh u nisën drejt destinacionit të rradhës.