Një 39-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident në Itali. Viktima është Klodian Petro, i cili banonte në Prato dhe punonte një kompani në Valdarno. I riu u përplas me një makinë tjetër mëngjesin e së martës teksa udhëtonte pranë Bucine-s në Arezzo.
Mësohet se Petro po lëvizte me një makinë tip ‘Lancia Ypsilon’. Ai u përplas me një makinë tip, ‘Peugeot 308’. Shoferja e këtij mjeti, një 49-vjeçare, lëvizte në korsinë e kundërt të rrugës dhe u përplas në një kryqëzim. Ajo ka mbetur e lënduar si pasojë e impaktit.
Në vendin e ngjarjes shkuan autoritetet, por ishte tepër vonë për Petron, i cili ndërroi jetë menjëherë. Petro la pas një vajzë e cila nuk kishte shumë që kishte mbushur 13 vjeç.
Dinamika që çoi në aksidentin fatal është ende duke u hetuar. Megjithatë mediat shkruajnë se airbag-u ku udhëtonte 39-vjeçari nuk ka ndihmuar në zbutjen e goditjes, e cila ka qenë shumë e fortë dhe ka shkatërruar pjesët e përparme të dy makinave.
Shqiptari, përpara se të përplasej me “Peugeot”, ka frenuar për 30 metra, por kjo manovër nuk shërbeu për të shmangur tragjedinë. Sipas hetimeve të parë ka qenë shpejtësia e madhe që shkaktoi përplasjen me makinën tjetër.