Një i ri shqiptar do të përballet me akuzën e përdhunimit të një të miture, pasi dhunoi seksualisht një 17-vjeçare italiane.
Ngjarja ndodhi në Rimini, në një diskotekë, ku shqiptari e ka përdhunuar minorenen në tualetin e diskotekës.
Sipas mediave italiane, e gjithë skena është xhiruar nga mikeshat e vajzës në telefon dhe u shpërnda në çast përmes Whatsapit.
Vajzat e tjera që ishin dëshmitare nuk e kuptuan në moment se mikesha e tyre po përdhunohej, çka shpjegon edhe disa të qeshura që dëgjohen në video, thanë karabinierët italianë.
Mediat italiane shkruajnë se viktima 17-vjeçare, e pyetur nga policia, tha se nuk mbante mend asgjë pasi kishte konsumuar shumë alkool. Vetëm kur ka parë ditën tjetër videon që i kishte ardhur në WhatsApp, ka kujtuar episodin e tmerrshëm që i kishte ndodhur një natë më parë.
Prokuroria e Riminit hapi menjëherë hetimet dhe bllokoi shpërndarjen e videos. Hetuesit janë vënë në kërkim të agresorit shqiptar, i cili gjendet në arrati.





