NEW YORK – Palestina nuk është më një “entitet”, por një shtet – apo, të jemi më të saktë, një shtet joanëtar vëzhgues i Kombeve të Bashkuara,  ashtu sikurse Selia e Shenjtë. Synimi palestinez siguroi mbështetjen e 138 shteteve anëtare (Gjermania, Britania dhe 39 shtete të tjera abstenuan), ndërsa vetëm shtatë, përfshirë Ishujt Marshall, Palaun dhe Panamanë, iu bashkuan Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në kundërshtim, duke i lënë kështu që të dyja këto shtete më të izoluara se kurrë më parë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte i zemëruar; ai e quajti presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, një gënjeshtar dhe dha lejen për ndërtimin e 3.000 shtëpive të reja për hebraikët në territorin e okupuar palestinez. Ministri i tij i Jashtëm, Avigdor Lieberman, ishte kërcënuar që ta shtypë qeverinë e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor në rast se votimi në OKB mbahet. 

Mirëpo Izraeli mund të fajësojë vetëm veten për atë që ndodhi. Abbas dhe kryeministri i tij, Salam Fayyad, ishin më të moderuar dhe më të hapur ndaj negociatave serioze me Izraelin, se sa çdo lider tjetër palestinez më parë. Policia palestineze ka bashkëpunuar me izraelitë për të shuar dhunën në Bregun Perëndimor. Përmirësimi i ekonomisë, në vend të konfrontimit të dhunshëm, ishte shqetësimi kryesor i AP-së.

Mirëpo, me të vazhduar ndërtimin e kolonive në tokat palestineze, qeveria izraelite e ka rrezikuar autoritetin e Abbasit dhe të qeverisë së tij të “Fatahut” pothuajse deri në pikën e impotencës. Gjithnjë e më shumë, palestinezët, të ngopur nga kotësia e asaj që ende quhet “proces i paqes”, besojnë se rivali i përbetuar i “Fatahut”, lëvizja islamike “Hamasi” që sundon në Gazë ka mënyra më efektive për ta kapërcyer qorrsokakun aktual. Dështimi i metodave paqësore të Abbasit e ka bërë alternativën e dhunës të duket skajshmërisht atraktive. 

“Hamasi” është shfaqur si fitues moral pas përleshjes së fundit ushtarake. Në vend se të frikësonin palestinezët me bombardimin e Gazës dhe mobilizimin e trupave, izraelitët e bënë “Hamasin” të duket heroik në rezistencën e vet. Edhe njëherë, Abbas dukej i pafuqishëm në krahasim. Kjo dhe është arsyeja pse atij i duhej dëshpërimisht kjo fitore në OKB.

Promovimi diplomatik i Palestinës i ofroi atij një shans jetësor.

A e duan izraelitët në të vërtetë ringjalljen e dhunës islamike në Gazë, rënien potenciale të politikave paqësore në Bregun Perëndimor dhe tani të drejtën e një shteti të njohur palestinez për ta çuar Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime lufte? Nëse jo, pse atëherë janë aq sherrxhi vetëdëmtues? 

Duket se Izraeli po e bën të njëjtin gabim që të tjerët bënë në të kaluarën. Është dëshmuar vazhdimisht se frikësimi ushtarak i civilëve nuk ua thyen moralin dhe nuk i kthen kundër liderëve të vetë, sado i tmerrshëm të jetë regjimi. Përkundrazi, telashet e ndara zakonisht i forcojnë lidhjet ndërmjet qytetarëve dhe sunduesve. Kështu ka qenë edhe në qytetet e bombarduara gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore; kështu ka qenë në Vietnam dhe kështu doli të ishte edhe në Gazë.

Mirëpo ekziston edhe një mënyrë tjetër e të shikuar të kësaj situate. Ta quash qeverinë izraelite të ngathtë është sikur ta gabosh esencën. Izraeli ka disa iluzione rreth palestinezëve që i rrëzojnë liderët e tyre. Në fakt, një “Hamas” i forcuar mund tu shkojë për dore ekstremistëve izraelitë, aktualisht në pushtet. Ato mund të përshtaten mirë me retorikat e dhunshme, anticioniste dhe, po, antisemitike të islamikëve radikalë dhe argumentojnë se asnjë marrëveshje me palestinezët është e mundur. Kërcënimi i një shkopi të gjatë është vetëm gjuhë që vendësit e kuptojnë.

Mbajtja e palestinezëve të ndarë ndërmjet revolucionarëve islamikë dhe “Fatahut” me biznesin më shumë në mendje u përshtatet bukur mirë ambicieve izraelite. Për aq sa “Fatahu” i mban gjërat pak a shumë nën kontroll në Bregun Perëndimor dhe e gjitha që “Hamasi” mund të bëjë është hedhja periodike e predhave përtej kufirit izraelit apo të ngre në ajër kohë pas kohe nga ndonjë autobus, Izraeli lehtësisht mund të përballojë status-  quonë. Ata izraelitë që besojnë se një zgjidhje me dy shtete nuk mund të arrihet ndihen të përligjur; ata që thjeshtë nuk duan dy shtete në bashkëjetesë janë po aq të përligjur.

Nga perspektiva aktuale e qeverisë së Izraelit, atëherë, strategjia e saktë duhet të mbajë qeverinë palestineze në Bregun Perëndimor si të dobët dhe jashtë balancës, pa e rrëzuar atë faktikisht dhe ta frenojë “Hamasin” me shfaqje periodike të fuqisë ushtarake (duke i shkatërruar raketat me rreze të gjata veprimi, të cilat mund t’i shkaktojnë dëme serioze Izraelit). 

Politikat izraelite nuk janë gjenocidale, siç pëlqejnë të pretendojnë disa komentues, edhe pse ato nuk s’lirohen nga shpirti antisemitik. Shumë palestinezë janë vrarë me vendim izraelit, mirëpo numri i tyre nuk mund as t’i afrohet atij të civilëve myslimanë, të cilët ende torturohen, vriten apo gjymtohen nga qeveritë myslimane për çdo ditë. Izraeli, sidoqoftë, është një pushtet gjysmë-perandorak, që përdor metoda tradicionale kolonizuese; sundon me autoritarizëm, duke i ndarë rebelët potencialë, shpërblyer respektimin dhe ndëshkuar opozitën. 

Historia koloniale tregon se ky lloj i sundimit është i brishtë. Turpërimi nuk është një bazë e vendosur për një stabilitet afatgjatë. Vije një pikë, kur premtimet e pavarësisë nuk mund ta bindin më askënd. Nxitja e rezistencës së dhunshme, nëpërmjet demoralizimit të atyre që i thërrasin ende arsyes, nuk është një inovacion për katastrofën. Shanset e një marrëveshjeje paqësore po zhduken. Dhuna është e tëra që mbetet.

 
Është gjë e veçantë kur flitet për kolonitë e përjashtuara nga ana tjetër e botës. Por është një gjë krejt tjetër kur bëhet fjalë për një koloni në fqinjësi dhe kur fuqia kolonizuese rrethohet nga shtetet që kanë simpati të kufizuara për tollovinë që është shkaktuar kryesisht për faj të vet asaj.
 

 

(Ian Buruma është profesor i demokracisë, të drejtave njerëzore dhe gazetarisë në kolegjin Bard. Ai është autor i shumë librave, përfshirë edhe atë më të fundit: “Vrasja në Amsterdam: Vdekja e Theo Van Gogh dhe kufijtë e tolerancës dhe zbutja e zotave: Feja dhe Demokracia në tri kontinente”. Ky opinion është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”).