Deklaratën e Kryeministrit që njoftoi se fasha 800 kilovat/orë nuk do të hyjë në fuqi në muajin tetor, kryedemokrati Sali Berisha e konsideron tërheqje të Edi Ramës.

I pyetur nga gazetarët në konferencën e parjavshme, Sali Berisha theksoi se mosrritja e çmimit të energjisë ka qenë apel i përsëritur i opozitës.

“U dorëzua. Para jush i kam dhënë një ultimatum që po rrite çmimin e energjisë do presësh atë që meriton. Por sidoqoftë vendimi i tij për t’u tërhequr nën presion që do të thotë vetëm presioni funksionon me këtë njeri. Bëri sikur guxoi po s’guxoi. U tërhoq. Kjo është e vërteta”.

Sa i përket rritjes së inflacionit në vend, të cilën Kryeministri Rama e lidh me luftën në Ukrainë, Sali Berisha e hedh poshtë këtë teori.

“Sa i përket inflacionit, mjeran, nuk është ekonomia zhgarravinë vizatimi. S’kanë asnjë lidhje me luftën ujërat tona. Po marrim naftë. Po pse në Mal të Zi të shitet 900 lekë më lirë se sa në Shqipëri? Kjo lufta ndikon vetëm në Shqipëri apo ndikon në Europë njësoj? Gënjeshtar? Rritja madhore e çmimeve rezultat në radhë të parë i bordeve. S’ka lidhje me luftën rritja e çmimit të djathit, qumështit, ka lidhje me Ballkanin e Hapur. Vërshimi i produkteve blegtorale serbe në tregun shqiptar, 250% të rritura”, theksoi kryetari i PD, Sali Berisha.