*Motrat françeskane: Kemi 7 vjet që po përmbytemi nga bllokimi i kanalizimeve, bashkia asnjë masë!

Përmbytjet nuk kanë kursyer as shtëpinë e Zotit, kishën katolike në ish-Kënetë të Durrësit. Ujërat e rrëmbyera të shirave të përzier me ujërat e zeza dhe fekale kanë hyrë deri në një metër në godinë, dhe kanë dëmtuar rëndë barnat dhe veshjet e destinuara për të varfrit e qytetit.

Motrat e urdhrit Françeskan, në një prononcim, deklaruan se prej vitit 2009, po jetojnë me ankth e frikë sa herë që bie shi. “Sa herë që bie shi, duket të mendojmë të lëvizim gjithçka se ujërat e ndotura hyjnë në shtëpi e shkatërrojnë gjithçka. Gjatë 48 orëve të fundit uji i përzier me ujëra të zeza, hyri dy herë në lartësinë një metër brenda në banesë duke nxjerrë jashtë funksionit orenditë e pajisjet e shtëpisë, ndërsa lagështira dëmtoi barnat. Ashti si shumë familje të zonës së ish-Kënetës në Durrës që përmbyten, edhe ne përmbytemi. Por të varfrit e kësaj zone sa herë përmbyten vijnë tek ne të marrin veshje barna ndihmë ushqime. Ne po përmbytemi vetë, e nuk kemi me çfarë t’u vijmë në ndihmë në një situatë të tillë”, thotë një prej motrave të urdhrit Françeskan. 

Ne po përmbytemi dhe nuk vjen askush të na thotë: A jemi mirë? Pse fiken dritat, pse nuk funksionojnë pompat e tërheqjes së ujit, pse nuk rregullohen kanalizimet?”

Motrat françeskane ushtrojnë veprimtarinë e tyre prej vitit 1994 në zonën e ish-Kënetës në Durrës, në ndihmë të komunitetit të varfër. Në mungesë të vëmendjes së pushtetit lokal, këto motra janë e vetmja dritë jeshile për komunitetin e varfër të kësaj zone. Kisha është kthyer në një strehë bamirësie, për të gjithë të sëmurët, të varfrit, të pastrehët e të pa veshurit. Me përmbytjet e fundit, edhe motrat françeskane, nuk kanë me çfarë të ndihmojnë më popullatën.   

Ndjekim intervistat e motrave katolike. 

K.H.