Shirat e parë të kësaj vjeshte kanë nxjerrë në dritë një skandal të madh në investimin më të madh publik në portin e Durrësit. Bëhet fjalë për terminalin e pasagjerëve, investim që kushtoi 22 milionë euro, 7 milionë euro më shumë sesa projekti fillestar. Terminali, i cili u inagurua më 11 korrik të këtij viti, ka futur ujë në pjesën më të madhe të tij.

Çatia e tij duket se nuk e ka përballuar sasinë e madhe të reshjeve dhe ka nisur të pikojë. Për pasojë nga terminali janë larguar aparaturat kompjuterike të operatorëve të kompanive të lundrimit, të doganës dhe APD-së, të cilat u vunë në rrezik nga lagështira. “Dyrrah” ka dokumentuar përmes fotove rrjedhjen e çatisë si dhe pastrueset që ishin urdhëruar të fshinin herë pas here ujin që pikonte nga çatia e objektit. Vlen të theksohet fakti se investimi i realizuar për terminalin e pasagjerëve u mirëprit si nga udhëtarët ashtu edhe nga autoritet portuale që operojnë në portin e Durrësit.

Çatia që pikon

Ndërsa çatia e godinës pikon drejt e në kokat e pasagjerëve të bën përshtypje fakti sesi një investim i këtyre përmasave është marrë në dorëzim pa u kolauduar. Punonjës të policisë së rendit, por edhe të doganës kanë bërë me dije se gjatë netëve kur fortunali përfshiu portin situata ka qenë tragjikomike.

Pasagjerëve ju duhej të mbanin çadrat hapur brenda në terminal, sepse shiu që binte jashtë derdhej mbi kokat e tyre. Punonjësit e doganës na thanë se ishin detyruar të tërhiqnin të gjitha aparaturat e tyre nga zyrat që kanë brenda në terminal, sepse çatia që pikonte i rrezikonte ato si dhe dokumentacionin shkresor. Të njëjtën situatë kanë përjetuar edhe punonjësit e sporteleve të policisë kufitare brenda në terminal, të detyruar t’i hiqnin nga aty kompjuterat.

“Të të them që janë 30 të çara nga ku pikon uji i shiut është pak, pasi janë edhe më shumë e kjo nuk do mend, sepse shikojeni vetë, në të gjithë sipërfaqjen e çatisë gjen të çara”,- tha një punonjës i policisë së rendit, i cili nuk do të identifikohet. Këtë realitet e konfirmojnë edhe punonjësit e lokaleve brenda terminalit të pasagjerëve.

APD nuk reagon

Kur kanë kaluarthuajse 4 muaj nga dita e përurimit të terminalit situata e krijuar mund të cilësohet absurde dhe skandaloze. Është për të ardhur keq që një investim i sapo përfunduar, me vlerë 22 milionë euro, shfaq të tillë problematikë të theksuar. Terminali i pasagjerëve ishte një investim i BERZH, BEI dhe qeverisë Shqiptare dhe nisi të ndërtohej në vitin 2008, me një fond prej 15.2 milionë euro.

Terminali, i cili u inagurua më 11 korrik të këtij viti, ka futur ujë në pjesën më të madhe të tij. Për pasojë nga terminali janë larguar aparaturat kompjuterike të operatorëve të kompanive të lundrimit, të doganës dhe APD-së, të cilat u vunë në rrezik nga lagështira

Por ndryshimi i projektit fillestar bëri që kostoja të rritet edhe me rreth 7  milionë euro të tjera. “Dyrrah” kontaktoi me drejtorin e APD, Eduard Ndreu në lidhje me këtë çështje, por drejtori refuzoi të jepte shpjegim për situatën e krijuar aty. Ndërsa duhet të ishte Autoriteti Portual i pari që duhet të ngrinte zërin për këtë skandal ai qëndron i heshtur dhe refuzon të flasë. Terminali i ri i pasagjerëve është një konstruksion metalik njëkatësh, me sipërfaqe rreth 5 mijë metra katrorë, në të cilin përfshihen të gjitha ambientet e nevojshme për shërbimin dhe kontrollin e pasagjerëve, si: sallat e pritjes në hyrje dhe dalje të godinës, pikat e shitjes së biletave dhe agjencitë e udhëtimit, pikat e kontrollit doganor dhe të dokumenteve personale, ambiente shërbimi për personelin etj.

Kontraktori i realizimit të punimeve ishte kompania Sllovene SCT d.d. dhe në tetor 2010 e në deri në përfundim të tyre ishte kompania shqiptare “Vega”. Supervizimi i objektit është bërë nga kompania  “DIWI Consult Albania”, ndërsa nga qershori i 2011 objekti u supervizuar nga “Safege”. Projekti i Terminalit të ri të trageteve u nda në dy faza. Faza e parë përfshiu sheshin e terminalit së bashku me pikat e kontrollit policor dhe doganor  dhe faza e dytë përfshiu godinën e terminalit të pasagjerëve, pikat e kontrollit policor dhe doganor etj.