Pas publikimit të skandalit me prodhimin e qofteve në Tiranë, të cilat përbëheshin me stomak pule e dhjam derri, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka nisur një aksion të gjerë në të gjithë vendin për inspektimin e subjekteve që prodhojnë dhe tregtojnë qofte.
Inspektorët e AKU-së, kanë parë nga afër kushtet higjieno-sanitare, si dhe kanë marrë mostra për kryerjen e analizave në dhjetëra subjekte.
Aksioni është shtrirë në qytetet Tiranë, Durrës, Fier dhe do të vijojë edhe në qytetet e tjera. Sipas të dhënave nga AKU-ja, nga këto inspektime, janë marrë masa, duke filluar që nga paralajmërime, pezullime aktiviteti, si dhe deri në bllokime të frigoriferëve me qofte.
Durrës
Në qytetin e Durrësit u inspektuan 21 subjekte, kryesisht zgara, magazina ushqimore dhe subjekte që përpunojnë mishin. Për të gjitha subjektet janë marrë mostra dhe pritet që të dalin analizat brenda 3 ditëve. Ndërkohë janë dhënë dy paralajmërime për dy subjekte, për shkak se nuk kishin dokumentacionin e kërkuar.
Tiranë
Në Tiranë janë inspektuar 10 zgara, ku janë marrë mostrat për secilin subjekt. Në një nga zgarat e Tiranës, është vendosur masë bllokimi për frigoriferët, për shkak se produkti që ndodhej aty, nuk kishte etiketë dhe nuk plotësonte kushtet higjieno-sanitare.
Fier
Në qytetin e Fierit janë kryer 16 inspektime, në zgara dhe në subjekte që përpunojnë mishin. Nga këto inspektime është vendosur pezullim aktiviteti për një zgarë, e cila kishte probleme me kushtet higjieno-sanitare dhe nuk kishte dokumentacionin përkatës. Gjithashtu janë dhënë 11 paralajmërime për gjobë dhe pezullim aktiviteti.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i bën apel qytetarëve dhe mediave që të denoncojnë çdo rast abuzim me ushqimet.





