Nga THANAS MUSTAQI
DURRËS, 26 tetor 2014 – Shtypi shqiptar ka njoftuar se Shqipëria do të përplaset në arbitrazhin e Vjenës për anulimin e kontratës me një koncesionar të skanimit të kontejnerëve.
Përtej zhurmës mediatike, është vendi të nënvizohen disa fakte.
VETËM PASI SHQIPËRIA TË HYJË NË BE!
Në pikën 4.3 të kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërisë “Rapiscan Security, Inc.”, si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit (miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 25 prill 2013), thuhet:
“Në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ose në çdo kohë pas këtij anëtarësimi, Autoriteti [Ministria e Financave] do të ketë të drejtë të kërkojë rishikimin e kësaj Kontrate në mënyrë të tillë që të sigurojë përputhjen në mënyrë të plotë me kriteret e detyrueshme për anëtarësim të Bashkimit Evropian. Nëse, për sa më sipër, Autoriteti vendos të ndryshojë këtë Kontratë, Rapiscan do të ketë të drejtë, pa paragjykuar ndonjë të drejtë tjetër të ofruar nga ligji, të zgjidhë këtë Kontratë pa pësuar ndonjë penalitet ose pasojë ligjore përkundrejt Autoritetit”.
Pra, edhe kompania amerikane “Rapiscan Systems” (“versioni” në Shqipëri “Rapiscan Security, Inc”) dhe ministria shqiptare e Financave ishin të bindur se kontrata e skanimit te kontejnerëve, si monopol i pastër, nuk është plotësisht në përputhje me kriteret e detyrueshme të Bashkimit Evropian për anëtarësim, pasi COMP-i, antimonopoli i Komisionit Evropian (Directorate-General for Competition) mund të gjobiste rëndë kompaninë e Kalifornisë, përderisa Brukseli nuk pyeti as për Microsoftin-n!
I bie, meqë kontrata ka një kohëzgjatje 15-vjeçare, mund të spekulohet që nënshkruesit e kontratës, z. Xhonatan (Jonathan) Fleming, zëvendëspresidenti i “Rejpajsken Sekjuriti”-së (Rapiscan Security) dhe dhe z. Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, do të dëshironin që Shqipëria të hynte në BE në vitin 2029!
Kjo është një nga aspektet që ish-opozita e majtë (sot në pushtet), pasi ta kishte studiuar kontratën, të denonconte në KE këtë monopol dhe të mos merrej me retorikë boshe kundër monopolit në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare!
“STILI” I VITIT 1946 DHE SKANERI KINEZ
Por ajo që ka rëndësi në momentin kur Kryeministrit aktual z. Edi Rama i kanë mbushur mendjen për prishjen e kontratës të konfliktit me një kompani amerikane, ka të bëjë me zgjidhjen jo me “stilin” e vitit 1946 (është për t’u përmendur se në arkivat amerikane ka dokumente që dëshmojnë se në vitin 1949 Enver Hoxha, i penduar tashmë, dërgoi Behar Shtyllën të bindte Uashingtonin për rivendosje marrëdhëniesh diplomatike, duke pranuar njohjen e marrëveshjeve të nënshkruara në kohën e Zogut).
Më shumë se problem me koncesionarin, kemi të bëjmë me një problem shqiptar.
Kur u thirr në komisionin për Ekonominë dhe Financat, më 23 prill 2014, dy ditë para kalimit të seancë plenare të kontratës, znj. Arjanë Dyrmishi, atëherë drejtore e përgjithshme në Ministrinë e Financave tha se “në bazë të Kodit Doganor, një ndër funksionet kryesore të administratës doganore është edhe kontrolli”.
Por këtu është thelbi: në mënyrë tinëzare qeveria e djeshme vendosi, sipas Dyrmishit, që “pjesa e këtij kontrolli doganor, e cila ka të bëjë me skanimin, koncesionohet”, pasi “administrata doganore nuk e bën dot”
Madje, zyrtarja e lartë nxjerr në shesh faktin e fshehur me djallëzi (shtypi shkroi): “Në Durrës ekziston një skaner, i cili është dhuratë e një bashkëpunimi me qeverinë kineze. Ai skaner nuk punon. Nuk punon sepse vetëm kostot e mirëmbajtjes së tij janë shumë të larta dhe të papërballueshme. Përveçse mirëmbajtjes po them se, për sa u përket kostove të larta të mirëmbajtjes, ka të bëjë edhe me stafin, në interpretimin e imazheve, sepse, në fund të fundit, kamioni do të kalojë në skaner. Për sa na është relatuar ne, kryesore është pikërisht leximi i imazheve të kamerës dhe krijimi i database-it të imazheve. Edhe për këtë duhet të ketë staf të specializuar në shërbimin doganor për ta bërë. Për këtë fakt kjo është koncesionuar, pasi nuk mund të bëhet dot nga administrata doganore. Prandaj kemi arritur në këtë zgjidhje të koncesionimit”.
“ASNJË NGA VENDET E EVROPËS NUK E KA TË KONCESIONUAR SI SHËRBIM”
Znj, Dyrmishi pranoi: “Në bazë të të dhënave që ne dispononim, rezulton që asnjë nga vendet e Evropës nuk e ka të koncesionuar si shërbim. Skanimi nuk është i koncensionuar te një subjekt privat. Shërbimin e skanimit e disponojnë vetë administratat doganore, për shembull, Italia e ka vetë shërbimin e skanimit. Pra, shërbime skanimi ofrojnë administratat, por ndahet, e kanë vetë apo e kanë të koncensionuar. Të koncensionuar nuk e kanë. E para është investuese, sepse ka një kosto shumë të madhe mirëmbajtjeje. I ka vetë personeli dhe nuk është një person”.
Dhe rruga më e thjeshtë që zgjodhi qeveria Berisha, ishte që shpenzimet, të cilat duhet t’i bëjë shteti për nevojat e tij të kontrollit doganor, t’ia faturojë biznesit.
Por këtë problem duhet ta zgjidhë vetë shteti shqiptar, pavarësisht se kush i nënshkroi marrëveshjet – “Zogu”, “Enveri” apo “Berisha” – meqë duhet bërë skanimi për të luftuar kontrabandën, Doganës / Ministrisë së Financave i takon të blejë shërbimin e Rapiscan-it me tarifën 39 euro për çdo deklaratë ashtu si Italia, të gjitha vendet e BE-së.
Vështirë të fitohet beteja gjyqësore në Vjenë, pasi kemi të bëjmë me një ligj të shtetit shqiptar, i keq a i mirë qoftë, dhe mundësia e gjobitjes së Shqipërisë mund të rezultojë me kosto tejet më të madhe se sa blerja e shërbimit.
NEVOJA E OPTIMIZIMIT
Nuk do të ishte keq që qeveria të tërhiqet, hë për hë, nga padia dhe të bëjë një konsultim me ekspertë financash për të optimizuar zgjidhjen: sa fitojmë dhe sa humbim nga kjo marrëveshje; sa mund të rikuperojë blerjen ai 2 përqindësh që do të paguante koncesionari, sikurse përmendet në pikën 10.6 të kontratës: “Rapiscan do t’i paguajë Autoritetit një tarifë koncesionare që llogaritet si 2% e të ardhurave për ofrimin e shërbimeve të përcaktuara”.
Ta zëmë, që korret fitore me koncesionarin, do të braktiset skanimi?
Sa milionë euro nevojiten për investime të tjera në rast fitoreje?
Ka shumë pikëpyetje, por nuk duhet harruar se Shqipëria mund të humbasë transitin e kontejnerëve për në Kosovë, Maqedoni, Bullgari, Evropën Qendrore dhe Azi, qoftë, sepse ka vonesa për shkak të konfliktit të Autoritetit Portual Durrës për një vinç të terminalin e kontejnerëve të koncesionarit turk-maltez (në 9-mujorin 2014 ka një rënie të numrit të kontejnerëve të përpunuar: 77 586 njësi nga 84 184 të tillë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një diferencë prej 6 598 TEU më pak), por edhe prej “gjobës” 39 euro për çdo kontejner.
Një pjesë të trafikut po e “thith” porti malazez i Tivarit, kurse maqedonasit dhe grekët, me gjithë sherret publike po bëjnë marrëveshje që për transportin dhe transitin e kontejnerëve të përdorin hekurudhën nga porti i Selanikut; po ashtu ka përpjekje dhe nga portet lindore të Adriatikut për të marrë “llokma” nga fluksi i Durrësit.
Shënim:“Dyrrah-u” (durreslajm.com) e ka trajtuar disa herë këtë problem.
Kliko:
http://www.durreslajm.com/ekonomia/monopoli-150-250-milione-fitim-ne-15-vjet-nga-skanimi-i-mjeteve;
http://www.durreslajm.com/speciale/skandali-39-euro-per-skanimin-e-kontejnereve-koncesion-monopol;
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/