Pas kreut të PD-së Sali Berisha, edhe kreu i partisë së Lirisë Ilir Meta iu bën thirrje qytetarëve që të mos blejnë apartamente në projektin e portit të Durrësit.

Sipas dy drejtuesve kryesorë të opozitës kjo është një aferë korruptive, që shumë shpejt do të jetë subjekt i konfiskimeve nga ana e drejtësisë.

Deklarata e Metës:

MOS BLINI APARTAMENTE NË PROJEKTIN E PORTIT TË DURRËSIT! MOS BINI PRE E MASHTRIMEVE TË KËSAJ SKEME TË PASTËR PIRAMIDALE!

I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në Projektin e Portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja.

Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave.

Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t’ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë!

U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve.