Pak pasi hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dolën nga Bashkia Tiranë duke marrë kryebashkiakun Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama është njoftuar teksa ishte në një vizitë në Shkodër. Kjo e ka detyruar kryeministrin të ndërpresë vizitën në qytetin verior dhe të kthehet me urgjencë në Tiranë.

Nga të dhënat bëhet e ditur se nuk pritet ndonjë vendim politik nga Rama, deri në daljen përpara gjykatës të Erion Veliajt në 48 orët në vazhdim, ku do të shqyrtohet masa e dhënë “arrest me burg”.

Por si do të vijojë qeverisja e kryeqytetit pas këtij zhvillimi?

Skenari i parë, Erion Veliaj ia delegon kompetencat e drejtimit një prej dy nënkryetarëve.

Skenari i dytë, këshilli bashkiak mblidhet dhe ia delegon drejtimin një prej dy nënkryetarëve.

Por, kjo situatë drejtimi me nënkryetar nuk vijon pafundësisht.

Neni 62 i ligjit për pushtetin lokal parashikon se kur një kryetar bashkie nuk paraqitet në detyrë për tre muaj, atëherë propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak. E më pas vendimi merret prej Këshillit të Ministrave.