Një lajm i dhimbshëm erdhi për botën e futbollit. 83 vjeçari Skënder Dedja nuk jeton më. Një emër shumë i njohur për komunitetin e futbollit kombëtar, por veçanërisht atë durrsak. Profesor doktor Skënder Dedja lindi në Durrës, por aktiviteti i tij intensiv në shërbim të shkencës së futbollit u realizua në Tiranë si profesor në Akademinë e sporteve, ku dha një ndihmesë të çmuar në përgatitjen dhe aftësimin e mjaft brezave të futbollit.

Me qindra studime, leksione, artikuj analizues mbi zhvillimin e futbollit botëror dhe atij shqiptar, referime të panumërta, bashkëpunëtor në shumë seksione dhe hulumtime shkencore, botime të ndryshme me temë sportive janë fryti i punës së çmuar shumëvjeçare i profesor Skënderit. Por një pjesë e punës së këtij shkencëtari të futbollit, do të vendosej edhe në Durrës. Mbaroi shkëlqyer studimet për specialitetin e futbollit në Hungari, në periudhën 1950-54. Futbolli hungarez i të madhit Ferenc Pushkash dominonte në Europë dhe në botë.

Pikërisht në këtë shkollë të madhe erdhi dhe studioi plot katër vite Skënder Dedja. Vëllezërit Dedja, Bedriu i shquar si shkrimtar për fëmijë dhe Skënderi, i bëjnë nder Durrësit të tyre me mallin për të cilin jetuan deri sa nuk janë më ndërmjet nesh. Fillimi i viteve 60-të e gjen Lokomotivën e Durrësit me një trajner të ri, nga më të specializuarit të futbollit shqiptar. Ky është Skënder Dedja. Kemi takuar këto ditë futbollistë veteranë të Lokomotivës, si Teli Ciko, Feti Golashi, Met Spahiu, Niko Bespalla, Met Myshku. Mustafa Saraçi, Rrem Kadiu etj. që ndjenin dhimbje për këtë humbje. Feti Golashi kujton.

“Sikur ta ndjenim, shprehet ai, se nuk do ta takonim më profesorin e nderuar, para dy vitesh një grup futbollistësh organizuam një takim mbresëlënës me Skënder Dedjen. Mbeti shumë i kënaqur dhe i emocionuar. Kemi kujtimet më të bukura prej tij. Duhet të ketë qenë 30 vjeç kur erdhi tek ne dhe mbeteshim me gojë hapur kur na bënte taktikën e lojës. Ne kurrë nuk do të humbisnim, në se do të ishim në gjendje të zbatonim plotësisht çka na sugjeronte të bënim Skënder Dedja. Kujtoj që tani që në fillim të viteve 60-të, kur Lokomotiva kalon në kategorinë e parë ishim një brez ëndërrues futbollistësh si Ciko, Saraçi, Ikonomi, Grami, Hoxha, Kadiu, Bespalla, Spahiu etj. dhe që ia dimë për nder Skënder Dedjes se çfarë bëri për ne. Njeri kërkues dhe me vullnet të jashtëzakonshëm. Kur e emëruan në Tiranë, jemi ndarë me lot në sy nga Skënderi ynë, të cilin kurrë nuk e harruam duke e respektuar pa masë për atë punë kolosale që kreu për futbollin durrsak”.

Skënder Dedja ndonëse u shua në moshën 83 vjeçare, mbeti koherent duke punuar edhe me brezin e ri të futbollistëve, por duke mos iu ndarë edhe analizave dhe komenteve në botime të ndryshme por edhe në media. Lajmi për vdekjen e tij është pritur me shumë dhimbje, veçanërisht nga brezi i futbollistëve që sot janë 70-75 vjeçarë. Puna e tij mbetet e paharrueshme dhe e denjë për t’u kujtuar.