Katër të rinj shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë italiane pasi në bashkëpunim me dy vajza të tjera kanë kryer me dhjetëra grabitje. Sendet e grabitura nga grupi arrijnë një vlerë monetare prej 300 mijë euro. 

"La stampa" raporton se grupi i grabitësve akuzohet për grabitjen e 33 shtëpive në rajone të ndryshme të Italisë.

Të arrestuarit janë Mario Gjoni, 24 vjeç, Holgerson Marceraj, 26, Samoel Hysenaj, 17 dhe Besim Hasani, 35 vjeç. Gjithashtu dhe Rosa Di Maio, 35 vjeçe dhe Valerio Maria Mercedes Salgado, 24 vjeçe.

Hetimet për  kapjen e këtij grupi nisën më mars të këtij viti, kur Gjoni dhe Marceraj u kapën nga karabinierët duke grabitur një shtëpi në Novara.

Ata u liruan me kushte, por nuk e ndaluan aktivitetin kriminal. Pjesë e grupit ishin dy shqiptarët e tjerë Hysenaj dhe Hasani si dhe dy vajzat, një italiane dhe një nga Nikaragua.

Plani që ata zbatonin gjatë grabitjeve ishte që tre persona hynin në shtëpi, njëri qëndronte në automjet, kurse dy vajzat përdoreshin për të mbikëqyrur dhe për të fshehur sendet e vjedhura.