Një modë e re është përhapur në këtë fillim sezoni të Kategorisë Superiore: hapja e dyerve të stadiumeve për tifozët. Numri jo i lart i publikut të pranishëm në ndeshjet e kampionatit, prej problemeve të brendshme të skuadrave apo që lidhet me përformancat sportive jo në nivelin e pritshmërive, i kanë detyruar klubet që të ndryshojnë strategji dhe të minimizojnë të ardhurat nga shitja e biletave. Pothuajse gjysma e skuadrave elitare kanë vendosur të thërrasin në ndihmë tifozët, duke hequr detyrimin e pagesës për një vend në tribuna dhe ku detyra e vetme e mbështetësve është paraqitja e tyre në stadium. Skuadra më e fundit që i është bashkuar këtij trendi është Laçi. Pa fitore në tre javët e para të Superiores dhe me vetëm dy pikë në renditje, kurbinasit nuk kanë bindur me lojë dhe rezultate. Për të bërë të mundur që mbështetja e tifozëve nuk do të mungojë, drejtuesit e klubit vendosën që hyrja në stadium për ndeshjen e së shtunës ndaj Kukësit të jetë falas. Laçi bëhet skuadra e katërt elitare që vë në zbatim taktikën e hapjes së dyerve të impiantit. Gjithçka nisi me Flamurtarin, me drejtuesit e klubit që në fillim të sezonin lajmëruan se gjatë gjithë kampionatit, hyrja e tifozëve vlonjatë në stadium do të bëhet pa pagesë.

Pas kuqezinjve ishte Kukësi, që me synimin për të afruar sa më tepër tifozë pranë skuadrës, praktikoi hyrjen pa pagesë në ndeshjen e parë në shtëpi përballë Teutës, ku gjithsesi reagimi nga ana e mbështetësve nuk ishte në nivelin e pritur. Në trendin e hyrjeve falas është përfshirë edhe Skënderbeu, që pas vendimit të UEFA-s dhe përshtjellimit të krijuar për ndalimin e pjesëmarrjes në kupat e Europës, fillimisht hapi dyert e stadiumit në ndeshjen me Laçin dhe do të vazhdojë në këtë mënyrë edhe në sfidën e së shtunës ndaj Luftëtarit. Një mënyrë ku edhe 6 herë kampionët radhazi të Shqipërisë heqin dorë nga një pjesë e përfitimeve financiare të sezonit, për ti kthyer ndeshjet e kampionatit sërish në festë.