ANGLI – Një lexuese lajmesh në një stacion radiofonik rrezikoi të vdiste në një kanal me ujë të ngrirë, ndërsa ishte duke i dërguar sms të dashurit.

Laura Safe ishte shumë e zënë duke parë celularin e saj dhe kështu përfundoi në ujërat e ngrira të kanalit, raporton The Sun.

Lexuesja e lajmeve të Capital FM’s Breakfast Show, në Birmingam shpëtoi falë biznesmenit Neil Edginton, ndërsa rrezikoi të mbytej pranë një qendre tregtare.

“U përpoqa të ruaja ekuilibrin, por përfundova në ujin e ngrirë. Por arrita të shpëtoja çantën time dhe celularin. Ai burri erdhi duke vrapuar në stilin e Baywatch-ve, më kapi nga dora dhe më ngriti lart. Ai është një hero, më shpëtoi jetën.

Neil, biznesmeni nga Solihull, duket se nuk e mendoi dy herë por vrapoi në ndihmë të Laurës që rrezikonte mbytjen.

Në rrëfimin e tij ai tregon: “E pashë që ajo ishte e fokusuar tek telefoni dhe ishte duke ecur drejt ujit të ngrirë. I thirra që të ndalte, por ishte shumë vonë. Hodha telefonin dhe vrapova drejt saj. U shtriva në anë të kanalit, futa duart në ujë dhe e tërhoqa lart, pasi ajo po zhytej”.

Ndërkohë pas kësaj aventure aspak të këndshme dhe mjaft të rrezikshme Laura deklaroi se kishte marrë një mësim të mirë dhe se në të ardhmen do të ishte shumë më e kujdesshme. “Nuk dërgoj më sms, jam shumë e frikësuar”,- tha ajo.

Ndërsa u kthye sërish në studion radiofonike, ajo telefonoi në lidhje direkte shpëtimtarin e saj, Neil, dhe e falenderoi për gjestin e tij heroik.