FUSHE KRUJE, 01 prill 2013– Një nga aksionerët e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë denoncon në Polici kërcënimet për vrasje që i bëhen në telefon javët e fundit. Në një kohë kur vrasja me eksploziv e zv/drejtorit të kësaj fabrike, Anëar Rizik, mbetet ende pa autor, njëri nga aksionerët e fabrikës së çimentos ka marrë kërcënime. 

Ai ka kallëzuar në Policinë e kryeqytetit faktin se është kërcënuar me jetë përmes telefonit. Ortaku brazilian i fabrikës, Jorge Jeha, sipas Policisë, ka depozituar një denoncim në zyrën e Krimeve Kundër Jetës, duke pretenduar se më 23 mars të këtij viti ka marrë një SMS kërcënues nga një numër i panjohur prej tij. Sipas burimeve të rezervuara nga Policia e kryeqytetit, teksti kërcënues është dërguar nga një numër i panjohur, dhe i regjistruar me një emër fiktiv, që nuk i përket autorit, pasi mund të jetë blerë në treg. 

Mesazhi i shkruar në gjuhën shqipe, që shpreh kërcënim për jetën, duke përmendur edhe eliminimin fizik të aksionarit të fabrikës së Fushë-Krujës, është marrë në shqyrtim nga oficerët e Krimeve të Rënda të Tiranës. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se kanosja është kryer për shkak të detyrës dhe paraprakisht mund të ketë ardhur nga ndonjë banor i Fushë-Krujës, ashtu siç është kërcënuar edhe më parë Jorge Jeha. 

Burimet thanë gjithashtu se telefoni celular i shtetasit brazilian është konfiskuar provizorisht në cilësinë e provës materiale dhe nga këqyrja rezulton se mesazhi është nisur edhe më parë në telefonin e ortakut të çimentos, të denoncuar vitin e kaluar në Polici. Burimet thanë se ka nisur procedim penal dhe çështja është referuar në Prokurorinë e Tiranës, me akuzat e “kanosjes” dhe “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”.