Në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ditën e mërkurë më 9 maj, u mbajt veprimtaria shkencore mbi veprën artistike dhe politike të Musine Kokalarit. Aktiviteti ishte një bashkëpunim i universitetit me muzeun “Musine Kokalari”.
Në fjalën përshëndetëse, zv. Rektori për Anën Shkencore në UAMD, Prof. Dr. Lekë Sokoli, shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij aktiviteti të përbashkët dhe nevojën për të vendosur figurën e çmuar të Musine Kokalarit në panteonin e kujtesës të shoqërisë shqiptare.
Për koordinatoren e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, që mbështeti financiarisht veprimtarinë, Musine Kokalari është e parë grua që zhvilloi konceptin social-demokrat në një epokë ku triumfonin burrat e fortë dhe rekomandoi më shumë studime në këtë aspekt të figurës së saj.
Më pas, aktivitetin e përshëndetën z. Adrian Gurra, Drejtor i Arsimit dhe Kulturës në Bashkinë e Durrësit dhe Bibika Kokalari, përfaqësuese e familjes.
Në sesionet shkencore referuan studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Italia, të cilët u ndalën në tema si :“Profili Social Demokrat i Musine Kokalarit”, “Vepra e Musine Kokalarit dhe lidhja me rrënjët”, “Proza natyrale e jetës së përditshme (Rreth shkrimit autobiografik të Musine Kokalarit)”, “Veçoritë dhe vlerat e letërkëmbimit, të shënimeve dhe të kujtimeve të saj”, “Aventura e gjatë italiane e Musine Kokalarit”, etj.
Kjo veprimtari vjen në vazhdën e një serie aktivitetesh për promovimin e vlerave shoqërore, kulturore dhe politike të Musine Kokalarit.