Kryeministri Edi Rama sulmoi përsëri protestuesit shqiptarë duke fajësuar algoritmin, teksa i cilësoi bullizues në komentet online.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi të ditës së sotme me të rinjtë për programet e start-upeve, për të cilat tha se qeveria ka dyfishuar mbështetjen financiare nga 3 në 6 mln euro duke e dyfishuar edhe numrin e fituesve.

Dhe pikërisht në ditën e 33-të të rezistencës së qytetarëve në shesh, ai këshilloi të rinjtë që t’i injoronin komentet online dhe bullizimet, pasi edhe ai kishte bërë të njëjtin gabim duke i ndjekur dhe më pas u tërhoq duke mos u përgjigjur më intensivisht si më parë. Kryeministri i cilësoi “momente të shëmtuara” ato që po ndodhnin.

Për kryeministrin, algoritmi në rrjetet sociale ‘ka kaluar në një fazë histerie’ dhe sipas tij, nëse u kthen komenteve përgjigje, merr mbrapsht një sasi të madhe balte.

“Në fund fare kam edhe një koment për një moment shumë të shëmtuar të ditëve të fundit, që ka prekur edhe një pjesë të të rinjve të programeve të start-upeve, që janë ose jo përfitues, që është bullizimi online i tyre, me gjithëfarë lloj sharjesh, fyerjesh e akuzash. Ndaj ndaj me ju një eksperiencë të thjeshtë. Mos zbrisni te komentet. Komentet janë jopërfaqësuese për çfarë ti bën, për si e bën dhe kush je. Dhe jo vetëm në këtë kohë, që është një kohë shumë e ngarkuar për arsye se algoritmi ka kaluar në një fazë histerie, por në çdo kohë, dikur unë i përgjigjesha komentuesve intensivisht, i nisur nga ideja që meritojnë respekt dhe vëmendje”, tha kryeministri.

Më tej ai shtoi se kishte vepruar gabim dhe tani nuk u përgjigjet më, ndaj sugjeroi injorimin.

“Por e kuptova që ishte e gabuar dhe në vend se minimumi të merrja pas respektin për faktin që impenjohesha për t’i dhënë përgjigje, vetëm rrisja angazhimin dhe sasinë e baltës që më kthehej pas. Kështu që qysh atëherë jo vetëm nuk u ktheva më përgjigje, por nuk zbres më në postim për të parë se çfarë thuhet. Nëse nuk e bëni këtë, impakti i bullizimit bëhet problem. Kështu që injorojini tërësisht. Ju nuk jeni të shitur se merrni fonde nga programi i startupp-eve. Nuk keni asnjë arsye që të merrni seriozisht asgjë tjetër veç realitetit që ju perceptoni. Realitetet e tjera që krijojnë të tjerët për ju, injorojini”, tha kreu i ekzekutivit.

Në “Grant 2026 nga Innovation4Albania (I4A)”, u shpallën edhe startup-et fituese dhe inkubatorët/akseleratorët që do të mbështeten përmes Grant 2026, me një fond të dyfishuar prej 6 milionë eurosh për sipërmarrjen inovative.

“Sistemi ynë i start-upeve është klasifikuar i katërti në rritjen më të shpejtë në rang evropian. Patjetër është rritje relative, se e kishim nisur nga një bazë e ulët kur ndërmorëm këtë rrugëtim, në vitin 2022, me vetëm 2 mln euro dhe mësuam bashkarisht se si ta çojmë përpara ngritjen e sot jemi në 6 mln. Ambicia jonë është që në fund të kësaj dekade, 2030, të arrijmë në 20 mln euro mbështetjen ndaj start-upeve, por do varet nga ekosistemi. Ne duhet të jemi gati si qeveri për të financuar deri në një volum prej 20 mln eurosh. Qeveria do marrë pjesë edhe në projektin e ri të Mira Muratit, por ashtu duhet të bëjmë edhe me start-upeve tona që kanë nevojë për mbështetje që të kalojnë në fazë të re ndaj e bëmë nga 3 në 6 mln euro. Sot kemi dyfishin e fituesve në krahasim me vitin e shkuar, e rëndësishme është edhe shpërndarja gjeografike, kemi aplikime nga i gjithë territori, ku pjesa më e madhe janë në Tiranë, ku 5 qarqeve të mëparshme i bashkohen edhe Korça, Shkodra dhe Vlora. Kemi edhe 15 start-upe nga diaspora gjithashtu”, tha ai për programin financiar.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030 të arrijë një kapacitet prej 20 milionë eurosh, në mbështetje të startup-eve, për të rinjtë që janë të fokusuar te teknologjia.

E pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila tha se starupp-et janë rritur dhe kanë dhënë kontribut konkret në ekonominë e vendit tonë.

Ibrahimaj tregoi se për këtë vit, janë 1219 aplikime për të marrë pjesë në skemën e mbështetjes për startup-et.