Nga Bledar Kurti

Sot është Dita Ndërkombëtare e Teatrit. Një ditë në të cilën vlen të kujtohen me nderim e respekt të gjithë aktorët, regjizorët, skenaristët, skenografët, punonjësit e kostumografisë, ndriçimit, etj, të cilët kanë mbajtur gjallë frymën artistike ndër vite, edhe pse në kushte tejet të vështira, paga të ulëta dhe mungesë vëmendje nga të gjitha autoritetet, veçanërisht gjatë tridhjetë viteve të fundit.

Dita e Teatrit e gjen sot vendin tonë me pak teatro. Londra e kohës Shekspiriane, pra katër shekuj më parë, kishte 18 teatro. Sot ka 241. Parisi ka 130 teatro. Nju Jorku ka 41 teatro vetëm në Broadway. Moska ka mbi 50 dhe Bukureshti 40. Shqipëria ndodhet në vendin e fundit me një numër të vogël teatrosh në qytetet e mëdha dhe mungesë të tyre në qytete të vogla. Edhe në teatrot ekzistues mungon standardi dhe kushtet minimale si për aktorët ashtu edhe për spektatorët.

Gjithashtu, përveç Tiranës, pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë nuk kanë kinema. Durrësi, një qark me afro gjysmë milionë banorësh nuk ka kinema.

Sigurisht, ashtu si çdo aspekt tjetër i kulturës në vendin tonë, vëmendja e të gjitha qeverive gjatë tri dekadave të fundit për artin skenik ka qenë pothuajse e pallogaritshme, ndoshta e justifikuar nën të pavetëdijshmen e shtetarëve për t’i ushqyer shqiptarët me teatrin e politikës, për t’i argëtuar me aktorët e pushtetit, e për t’i bërë të qeshin e qajnë me nivelin e përfaqësisë parlamentare apo me skenat luftarake që zhvillohen në Kuvend, që ngjasojnë me dramën e Henri V të Shekspirit: Vërsuluni edhe një herë miq, vërsuluni ndaj armikut.

Sa herë që flitet për teatrin dhe për artin në përgjithësi argumenti i autoriteteve dhe drejtuesve është gjithnjë i njëjtë. Tri janë argumentet e tyre: E kujt i bie mendja për art e kulturë këtu?! Nuk kemi fonde! Edhe po të investojmë do na shkojnë shpenzimet më kot pasi ky është niveli i qytetarisë apo i kulturës në qytetin tonë.

Të trija këto justifikime janë të paqena e të pabazuara. Të trija këto janë pasqyrim i nivelit të vetë drejtuesve pasi duke mos qenë vetë të ushqyer me kulturë, e duke mos e dashur artin supozojnë se e gjithë bashkësia është si ata. Boshllëkun e vet ua veshin të gjithë shoqërisë. Dhe mungesa e fondeve në mbështetje të teatrit e kulturës? Ky është justifikimi klasik i manipulimit të masave, pasi jemi të gjithë dëshmitarë se si janë shpërdoruar me miliona Euro për investime e projekte tërësisht të panevojshme, për të mos thënë absurde.

Por, ka edhe një tezë tjetër që shpjegon mungesën e vëmendjes dhe investimit ndaj teatrit dhe kulturës. E cila duket më pranë së vërtetës, se kultura në tërësi është e neglizhuar në mënyrë të qëllimshme, për të prodhuar një shoqëri mediokër, një elektorat pa fantazi e pa ndjesi mbi lirinë, individë të paformuar, një rini individualiste e larguar nga sensi i grupimeve kulturore, një votues të bindur të pafrymëzuar e pa imagjinatë rebelimi. Janë pikërisht këto arsyet pse Napoleoni, Stalini, Hitleri, e shumë të tjerë nxorrën ligje të posaçme për të kontrolluar teatrot. Sepse asnjë autoritet nuk dëshiron një shoqëri të emancipuar, për shkak se një shoqëri e tillë do prodhojë drejtim të elitave e jo qeverisje amatoreske, vulgare, mediokër e aspak frymëzuese siç kemi patur këto tridhjetë vitet e fundit, ku shumica e drejtuesve nuk shkelën kurrë në teatër por luajtën teatër me jetën dhe fatin e shqiptarëve.

Në këtë ditë të shënuar për teatrin, i urojmë të gjithë regjizorëve dhe artistëve skenik, vazhdoni ta mbani ndezur pishtarin e kulturës dhe emancipimit, pavarësisht vështirësive, sepse një buzëqeshje, një lot, një frymëzim që ju u jepni spektatorëve i bëni ata të ndihen të gjallë e jo hije pa emër, duke i transportuar ata në dimensione të paimagjinueshme të shtigjeve të artit.