SPAK kërkon konfiskimin për pasuritë e sekuestruara të anëtarit të një grupi të strukturuar kriminal, shtetasit Ervis Martinaj.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të procedimit pasuror nr.1 të vitit 2023.
Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin e mësipërm, për hetimin pasuror të shtetasit Ervis Martinaj, i dyshuar për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunim të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal si dhe personave të lidhur me të.
Mbi bazën e dispozitave të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar dhe sekuestruar* pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personit nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me të.
Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.