Nga BUJAR QESJA

Rri e rri dhe kujtoj një shprehje të profesor Përparim Kabos, teksa reagon në një nga fotot e shumta të publikuar, me mjeshtrin historik të portës shqiptare Sulejman Maliqatin.

“Je me fat Bujar Qesja”!

Dhe sa vjen e ditët shtyjnë njëra tjetrën, më përplaset në mëndje kjo thënie dhe më ngjason me përsëritjen e ndonjë refreni të njohur, të ndonjë kënge të preferuar:

“Je me fat Bujar Qesja”!

Po, po me fat. Dhe cili një i dytë e ka këtë ? Dhe profesor Kabo ka të drejtë.

Befasia

Nuk kishim lënë asnjë takim. Thjesht po rrija në “oborrin” e punës dhe po meditoja. Një shi i imët kishte filluar të njomte pllakat, për rreth vendqendrimit tim dhe një muzikë e lehtë në sfond, më joshte në minutat e relaksit të brëndshëm. Ishte ora 11.35, e kësaj dite të bekuar të verës së vitit 2019.

Befas më çfaqet ai, i miri dhe i mënçuri, i famshmi dhe i thjeshti, shansi i vështirë dhe delikat i finales së jetës Sulejman Maliqati.
Respekti për të është maksimal. Mbetem njeriu më aktiv, ku Sula ndan minutat e ditës dhe bashkbisedojmë për gjëra të ndryshme.
Më vendos një shishe të mbledhur me një fletë reviste, ku brenda lëviz lëngu magjik i muhabetit.

-Erdha miku im, nget dialogun “macja e zezë”, të festojmë së bashku ditën e verës. Të hedhim nga një kupë raki dhe të respektojmë miqësinë tonë.

Sula më vendosi mbi tavolinë edhe dy kokrra portokalla të mëdhenj, që m’u duken si dy topa gjigandë, duke të kujtuar heroizmin e tij në mbrojtje të portës së përfaqësueses shqiptare.

-Kënaqësi mjeshtër, koha që kalojmë së bashku.

Rakia e bekuar e Sul Maliqatit, në këtë ditë të bekuar, më bëri të kaloj momente të bekuara. E qeshura ime me lot, jo rrallë tërhiqte vëmëndjen e kalimtarëve. Sula, ky mjeshtër i portës, është mjeshtër edhe në humor, mbase edhe ky i lindur në genet e këtij njeriu të madh. Jetonte ende me kënaqësinë e 80 vjetorit të lindjes së shokut të tij të vjetër Panajot Panos, që të dy e kishim për dëshirë të kujtonim vendlindjen e tij Durrësin.

Dhimbje

Sa herë që takoj me Maliqatin, aq herë përjetoj momente të veçanta, copëza jete nga historia njerëzore e këtij njeriu të mirë. E në muhabet e sipër, kujtuam të birin, Agimin, i cili me 1 maj të këtij viti, është shtatë vjet i larguar nga jeta.

Por unë nuk e dija, që nga familja e tij, Maliqati kishte përjetuar 9 herë largimet nga jeta të të afërmëve. Katër fëmijë të larguar nga jeta në moshë të njomë, për aksidente dhe sëmundje. Në një rast lajmin e hidhur për një prej tyre, e kshte mësuar teksa luante në ndeshje me Partizanin, diku nga viti 1954. Jeton pa gruan, pa djalin Agimin, pa bashkshorten e tij, pa, pa…

Është vetëm. Kishte rënë në ngashërim, pasi të ngrysesh vetëm nuk është e lehtë dhe aq më shumë për një 90-91 vjeçar.
Por Zoti shyqyr i ka dhënë edhe miqtë, që ia zbusin të keqen, e bëjnë që të ruaj optimizëm dhe lëng jetësor. Dhe ky 14 mars i vitit 2019, këtë bënte. Po e ndante festën e verës me një shok, me një mik, mbase edhe me një djalë të tij, që e don dhe e respekton pa fund.

Mirënjohje

Eh Maliqat, sa i këndshëm je në bisedë! Kujtimet janë pa fund dhe vijnë ashtu të gjalla, sikur të kenë ndodhur tani. Kujton shokët e Partizanit, karrierën e mbushur me ngjarje të mëdha dhe të paharruara. Kujton Erzenin ku drejtoi ca kohë, por edhe Durrësin, ku e lidhi tjetër periudhë e sportit por edhe e jetesës.

-Nuk i jam ndarë çdo ngjarje. Njerëzit më respektojnë pa masë. Dhe kjo mirnjohje e tyre, për mua është jetë, është kënaqësi, është përjetim i një lloji që të mban të gjallë, të freskët, që të mos e ndjesh vetminë. Kam jetuar gjatë dhe kjo më ka bërë që të shijoj gjithçka të mirë, por fatkeqësisht edhe të dhimbshme.

Njerëzit që kalonin pranë nesh, nuk mungonin të na “prishnin”bisedën, duke e përshëndetur mjeshtrin. Dhe Maliqati ia kthente respektin, me reagimet e tij plot mirësi.

Nga garda e vjetër e Partizanit dhe e kombëtares së viteve 50-të, ka mbetur mbase i vetmi me ndonjë përjashtim të rrallë. Dhe më duhet të përsëris, postulatin e Përparim Kabos: “Je me fat Bujar Qesja, që takohesh shpesh me Sul Maliqatin”.

Mbase e kemi shpërdoruar fjalën ikonë, duke e vendosur vënd e pa vend. Por të kesh ende pranë Sul Maliqatin mitik të futbollit shqiptar, të bisedosh me të, duke u gëzuar pa masë për kthjelltësinë e mendimit dhe saktësinë e memories së ikonës, është më shumë se fat.
Pasi kemi rrufitur disa kupa raki, aq të mrekullueshme sa vetë shpirti i mjeshtrit, pasi jemi ëmbëltuar me portokallet e pjekura të gardianit dhe pasi kemi konsumuar edhe pak meze, drekës së vonë të 14 marsit po i vinte fundi.

Maliqati ngrihet nga vendi. Mosha ia ka ngushtuar disi konturet e atij trupi brilant dhe shumë atletik. Shqiponja e famshme e portës shqiptare, i kishte mbledhur krahët, duke të kujtuar që ky njeri, është vetë historia e shkëlqyer i futbollit shqiptar.

-Të të shoqëroj pak më tutje Maliqat!
-Jo mik jo. Mos luaj vëndit. Gëzuar ditën e verës! Do të takohemi sërish. Të dua shumë, pasi shënon vlerat e shoqërisë.

E përcolla mikun e shtrenjtë, të madhin dhe të mënçurin, të famshmin Sul Maliqati dhe e ndoqa me shumë vëmëndje lëvizjen e tij. Çapiste i qetë dhe saktë.

Ky 14 mars 2019 ishte i veçantë. Pak raki dhe shumë muhabet me Maliqatin, ishte vërtet një mrekulli.

Po, po! Kabo ka të drejtë.
“Je me fat Bujar Qesja”!