Lundrimi, unifikohet legjislacioni me BE

22/02/2012 - 00:00

Edmond Doraci
<h4>Edmond Doraci</h4>

Nis puna me autoritetet ligjzbatuese për aplikimin e standardeve ndërkombëtare në përpunimin e anijeve në portet shqiptare. Shkrihet grupi i praktikës që kontrollonte anijet dhe ngrihet Komiteti Kombëtar për lehtësimin e trafikut detar. Tashmë çdo institucion do të veprojë më vete, por nuk mund të kërkojë dokumentacion jashtë atyre që kërkohen në vendet e Bashkimit Europian.

Ligji për krijimin e lehtësive për trafikun Ndërkombëtar Detar dhe për aderimin e vendit tonë në Konventën e IMO, e cila është krijuar në 9 prill të vitit 1965, prej më se 6 vjetësh është mbajtur peng i burokracive. Unifikimi i dokumenteve të anijeve tregtare që hyjnë në portet e vendit tonë dhe standardizimi i tyre me kërkesat e BE, ka nisur të diskutohet këtë javë me Autoritetet Portuale dhe agjencitë ligj zbatuese në Portin e Durrësit me një iniciativë të Drejtorisë Detare të Durrësit. Bëhet fjalë për krijimin e Komitetit Kombëtar në zbatim të Konventës Ndërkombëtare “FAL” për unifikimin e dokumenteve të të gjitha anijeve që kalojnë në filtrin e porteve të Bashkimit Evropian. Me një vendim të Këshillit të Ministrave i cili mban datën 21.11.2011 kërkohet krijimi i lehtësive për trafikun ndërkombëtar detar të të gjitha anijeve tregtare që hyjnë në Shqipëri. Kësaj kërkese organet ligjzbatuese i janë përgjigjur me një takim të përbashkët të Drejtorisë Detare, Kapitanerisë së Përgjithshme të Porteve, Autoritetit Portual, Doganës, Inspektoriatit Shëndetësor dhe Agjencisë së Ushqimit, për arritjen e një marrëveshjeje memorandumi në zbatim të këtij ligji.

Deri tani anijet e transportit të mallrave që hyjnë në portin e Durrësit qëndrojnë për orë të tëra në radë, deri në kryerjen e procedurave nga ana e këtyre strukturave dhe më pas lejohen të hyjnë në portin e Durrësit. Por ka raste kur një anije vonohet disa orë, për shkak se grupi i praktikës i cili duhet të niset në radë, ku qëndron anija për të marrë dokumentet, mund të jetë në një anije të tjetër në Porto Romano dhe duhet të qëndrojë në pritje sa të përfundojë procedurën e parë. Kjo do të thotë më shumë kosto për pronarët e anijeve dhe humbje kohe. Me zbatimin e ligjit të ri, asnjë anije nuk do të qëndrojë më në radë, por direkt do të hyjë në port, dhe do të kryejë ngarkimin apo shkarkimin e mallit për të cilin është kontraktuar nga biznesi. Pronarët e anijeve nuk do të kenë më kosto për përgatitjen e dokumentacionit.

Sipas specialistëve në takimin e zhvilluar, vështirësia kryesore mbetet tek dogana dhe konkretisht Antikontrabanda, sepse këtu ndodhin fenomenet e evazionit fiskal apo edhe të korrupsionit. Anijet që bëjnë transport ndërkombëtar në pjesën më të madhe kanë kaluar në filtrin e porteve të BE dhe në Shqipëri vijnë gjysmë të përgatitura për problematikat që kanë. Doganat janë të përqendruara për mundësitë e abuzimeve dhe këto sjellin më së shumti vonesat për anijet. Antikondrabanda ka për detyrë vërtetësinë e dokumenteve që paraqesin anijet me mallra. Ky institucion bëhet shkak për vonesat dhe pengesat që krijohen për pronarët e anijeve. Por me Aktet e IMO (Organizata Ndërkombëtare Detare), siç është Konventa ndërkombëtare “FAL”, institucionet janë të detyruara të mbajnë përgjegjësi për çdo vonesë që mund t’i shkaktojnë subjektit ekonomik. Një anije që niset nga Kroacia, nis on-line të gjitha dokumentet që i kërkohen, nga institucionet, dhe para se të mbërrijë në portin e Durrësit, anija njoftohet nëse ngarkesa që ka mund të futet apo jo në port. Por edhe nëse një anije tregtare do të dalë nga porti institucionet në mënyrë të veçantë do japin lejen për daljen e saj. Ai institucion që do të vonojë largimin e saj apo hyrjen e saj, do mbajë edhe përgjegjësi përballë ligjit ashtu sikundër ndodh në Evropë.

 

EDMOND DORACI:

Ja dokumentet që do t’u kërkohen anijeve

Edmond Doraci, Kapiten i Përgjithshëm i Porteve, shpjegon procedurat e reja që do të ndiqen në portet shqiptare pas shkrirjes së grupit të praktikës. Tashmë që anijet do të hyjnë direkt në port për përpunim, pritet lehtësi për biznesin. Nuk do të kërkohet asnjë dokument më shumë se ato që paraqiten në çdo port evropian, ndërsa Doraci tregon edhe listën përfundimtare të dokumentacionit të detyrueshëm për paraqitje në portet shqiptare

Zoti Doraci ku konsiston ligji për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar detar­­? Dimë që prej vitit 2006 është miratuar ligji.

Në kuadrin e konventave ku aderon edhe vendi ynë është Konventa “FAL” për krijimin e lehtësirave të transportit ndërkombëtar dhe paraqitjes së dokumenteve përballë institucioneve të secilit shtet. Në zbatim të kësaj konvente qeveria ka nxjerrë një VKM ku ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme Detare në bashkëpunim me të gjithë institucionet që janë në grupin e praktikës, për unifikimin e dokumentacionit që do të kërkojnë përballë operatorit ekonomik, në këtë rast anijet tregtare ose agjenti që i kryen procedurat anijes.

Ku konsistojnë lehtësirat që do të kenë operatorët ekonomikë?

Për të bërë të qartë lehtësirat, duhet të them se po ndryshojmë praktikën që ndiqet tradicionalisht aktualisht në portet shqiptarë për anijet tregtare, në bazë të rregullave kishte të detyrueshme për institucionet që merren me grupin e praktikës. Me VKM e qeverisë të 21 Nëntorit të 2011 ky grup praktike shpërbëhet dhe të gjithë institucionet që funksionojnë në porte siç është Kapiteneria, Policia, Shëndetësia, Dogana, Autoriteti Portual veprojnë në mënyrë të pavarur, për të zbatuar gjithsecili ligjet që ai ndjek. Kjo do të thotë që varësia nga njëri-tjetri shmanget, varësia për efekt të kohës ose personelit, siç janë mungesa e inspektorëve etj, që sillnin pengesa për anijet. Për hir të këtyre procedurave dhe të grupit të praktikës, që duheshin përfaqësues nga të gjithë këto institucione, anija qëndronte në radë. Konventa përcakton qartë se cilat janë dokumentet që i kërkohen operatorit ekonomik, agjentit për të paraqitur tek këto institucione shtetërore. Në këtë lloj këndvështrimi vendimi i qeverisë ka detyrimin për të krijuar një Komitet Kombëtar për zbatimin e Konventës. Në këtë memorandum që ne po përgatisim së bashku me institucionet e tjera, përcaktohen me detaje dokumentet që duhen nga operatorët për t’u paraqitur tek këto institucione ligjzbatuese, që aktiviteti në port të zhvillohet pa pengesa dhe pa rënduar mbi operatorët ekonomikë ose anijet.

Kjo do të thotë që një anije e cila niset nga një port i caktuar në Europë, do të paraqesë të njëjtat dokumente në çdo port të Europës, edhe në vendin tonë në kuadër të Konventës “FAL”?

Ky memorandum që po hartojmë është i njëjtë me vendet anëtare të BE dhe të gjitha dokumentet që anija paraqet në Itali, në Francë apo Mal të Zi, do të jenë po ato që duhet të paraqesë në Shqipëri. Është një listë dokumentesh e njëjtë për Policinë, Doganën Kapitenerinë Autoritetin Portual, inspektoriatet që do të bëjnë detyrat e tyre funksionale në bazë të këtyre dokumenteve.

Aktualisht pse ky ligj i cili si fillim është miratuar në tetorin e 2005 dhe ka për qëllim lehtësimin e procedurave të trafikut ndërkombëtar pse ka mbetur i bllokuar?

Miratimi i konventës ka konsistuar me shprehen e dëshirës së qeverisë për të aderuar në të. Por nga aderimi tek memorandumi për të cili flasim duhet përafrimi i legjislacionit shqiptar, pra kjo është periudha e unifikimit të dokumentacionit tonë me atë të BE. VKM e 2011 e bën shumë më të lehtë zbatimin e memorandumit tashmë që ne flasim. Të gjithë aktorët e Portit të Durrësit janë të detyruar të jenë pjesë e memorandumit, kurse momenti i tanishëm është situata ku çdo institucion po shikon nëse ka mospërputhje apo jo deri në momentin e firmosjes.

Në Nenin 1 të kësaj konvente e cila me VKM, hyri në fuqi disa javë më parë, konkretisht në 21 nëntor të 2011, kërkohet nga qeveritë kontraktuese të miratojnë, në përputhje me dispozitat e konventës aktuale, të gjitha masat përkatëse për lehtësimin dhe shpejtimin e trafikut ndërkombëtar detar dhe të parandalojnë vonesat e panevojshme ndaj anijeve dhe udhëtarëve e mallrave në bordin e anijes.

Në bazë të konventës “FAL” e cila është në diskutim e sipër edhe në Durrës, autoritet publike nuk do të kërkojnë për mbajtjen e tyre në mbërritje ose në nisje të anijeve për të cilat zbatohet konventa asnjë dokument, përveç atyre të mbuluara nga seksioni aktual.

Dokumentet në fjalë janë:

Deklarata e përgjithshme,

Deklaratë për ngarkesën,

Deklarata e magazinave të anijes,

Deklarata e sendeve të ekuipazhit

Lista e ekuipazhit. Lista e pasagjerëve

Dokumenti i kërkuar sipas Konventës Universale Postare për postën

Deklarata detare për Shëndetin 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Me rastin e 3-vjetorit të ndarjes nga jeta...

     Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin

“L’Ouest-Eclair” ka botuar, të dielën e 11 tetorit 1914, në faqen n°4, shkrimin e “La Stampa-s” së Torinos në lidhje me hyrjen triumfale

  • Nostalgjia dhe malli vijnë për ta shqyer shpirtin
  • Në reagim të një diskutimi nisur në një rrjet social

Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botë