Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian po afron dhe pasojat e saj do t’i ndjejë edhe futbolli. Klubet angleze do të jenë të detyruara të përshtaten me normat e reja, duke filluar që nga rekrutimi i futbollistëve. Kështu do të duhet që të gjithë futbollistët europianë të aplikojnë për leje pune e të kenë nëj numër të caktuar ndeshjesh me ekipet kombëtare, ndryshe nga sa ka qenë më parë, duke u trajtuar tash,ë njëlloj si për shembull brazilianët.

Dhe ky është telashi më i vogël, pasi ligjet britanike do të shkaktojnë disa çudi, si për shembull të mos lejojnë Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon që të luajnë me klubet apo përfaqësueset e tyre në Angli.

Në Angli ka një ligj specifik mbi personat e huaj të cilët janë ndëshkuar nga gjykatat dhe që tentojnë të hyjnë në territorin e saj.Me daljen nga Bashkimi Europian, bie edhe përjashtimi që ishte vënë për shtetasit e vendeve të tij, të cilët lejoheshin të hynin pa problem për sa kohë që nuk cenonin sigurinë kombëtare.

Por tani të gjithë janë njëlloj dhe lojtarë si Mesi e Ronaldo, të dënuar nga gjykatat spanjolle për çështjen e mospagesës së taksave, në situatën aktuale nuk lejohet të shkelin në Angli.

Sipas “The Sun”, çudi të tilla kanë detyruar Ministrinë e Brendshme që të fillojë të mendojë ndryshimin e ligjeve mbi çështjet në fjalë, duke vendosur përjashtime të cilat fillojnë pikërisht me aktivitetet e mëdha sportive.