Mesfushori holandez i Eintrachtit të Frankfurtit, Jonathan De Guzman ka zbuluar një prapaskenë tronditëse dhe të turpshme njëkohësisht, për periudhën kur ishte pjesë e Napolit në Itali. Ngjarja ka ndodhur 3 vite më parë, ne 2015-ën dhe ka si protagonist mesfushorin dhe drejtorin sportiv të Napolit, Giuntoli, pasi të dy bashkë u përfshinë në një sherr të madh, duke përdorur edhe duart e sende të tjera.

“Unë nuk pranova një ofertë për t’u transferuar te Bournemouth dhe Giuntoli u acarua aq shumë, sa më qëlloi në fytyrë. Kaq mjaftoi që të bëhej një sherr i madh dhe të fluturonin sende në drejtim të njëri-tjetrit. Ka qenë i pranishëm edhe Kamilo Zuniga, i cili kërkonte të më qetësonte, duke më thënë të merrja gjërat e mia dhe të ikja në shtëpi. Nga ana tjetër, asistenti i Giuntolit më thoshte se nëse nuk pranoj ofertën për t’u larguar, jam i vdekur dhe nuk do të luaj kurrë me Napolin”, tregon mesfushori.

Në fakt kështu ndodhi, pasi që prej atij momenti De Guzman nuk luajti më asnjë minutë me napolitanët, teksa fillimisht u huazua te Carpi dhe më pas te Chievo, ndërsa aktualisht ka nisur sezonin e dytë me gjermanët e Eintrachtit të Frankfurtit.

“Jam shumë i lumtur për eksperiencën te Eintrachti, pasi më është dhënë mundësia të luaj futbollin tim dhe të tregoj vlerat në fushë. Atë periudhë te Napoli, as që dua ta kujtoj”, pranon mesfushori holandez Jonathan De Guzman.