Mohamed Salah ka refuzuar shansin për t’iu bashkuar Realit të Madridit dhe Juventusit këtë verë, por ai do të marrë në konsideratë të ardhmen e tij në fund të sezonit të ardhshëm. Sulmuesi egjiptian është përfolur për një largim nga “Anfield Road” në rast se do të mbërrijë një ofertë prej 150 milionë sterlinash.

Por “Mirror” zbulon se nuk ka ardhur vetëm një, por dy të tilla nga gjigantët e Italisë dhe Spanjës, por sulmuesi i Liverpulit ua ka prerë hovin që në fillim dhe e ka informuar klubin e tij se ai nuk preferon të largohet këtë sezon. Si Reali i Madridit, ashtu edhe Juventusi kanë shfaqur interes për transferimin e 27-vjeçarit këtë merkato, por tani i duhet të presin edhe një sezon, pasi egjiptiani e ka marrë vendimin e tij dhe ai është të udhëheqë sulmin e kampionëve të Europës edhe për një tjetër vit.

Ndoshta në moshën 28-vjeçare, ai do të mendohet për të bërë një lëvizje të fundit të madhe në karrierën e tij. Prapaskenat Sipas “Mirror”, ish-sulmuesi i Romës është tunduar për t’u larguar nga “Anfield Road”, pavarësisht se ndihet mirë te kampionët e Europës, me të cilët festoi në finalen e Champions-it më 1 qershor.

Edhe trajneri Jyrgen Klop është në dijeni të interesit që klubet e tjera kanë për të dhe është përfshirë personalisht në bisedime me drejtuesit e Liverpulit për të kërkuar garanci që të mos e humbasë yllin e tij. Ata pretendojnë se Salah, i cili për momentin ndodhet i grumbulluar me kombëtaren e Egjiptit, e ka siguruar klubin se nuk është kjo koha e duhur që ai të mendojë për t’u larguar.

Salah, i cili ka një kontratë deri në vitin 2023 në “Anfield Road”, konsiderohet një hero për tifozët e “reds”-ave që kur ai është transferuar në Mersejsajd. Por pavarësisht rëndësisë së tij te gjigantët e Premier Ligës, kjo nuk e ka penguar Realin dhe Juventusin që të trokasin në dyert e 18 herë kampionëve të Anglisë, për të bërë ofertën e çmendur për sulmuesin.

Edhe Mane besnik Edhe partneri i tij i sulmit në korsinë e majtë, Sadio Mane, është përfolur për një largim të mundshëm këtë verë nga 6 herë kampionët e Europës, por edhe senegalezi ka bërë të njëjtën gjë si Salah: ai e ka garantuar Liverpulin se nuk do të largohet këtë sezon.