Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, u duk i zhgënjyer pas humbjes me Tiranën, ku deklaroi:

Tjetër humbje, si e patë këtë paraqitje?

Të humbasësh asnjëherë nuk është fundi botës, por kështu si humbim ne, ndoshta është fundi i botës. Ishte një ndeshje e shëmtuar, ku në asnjë moment nuk ishim në lojë. Një ndeshje ku nuk patëm dëshirën minimale për të luftuar apo fituar. Gjëja më e thjeshtë është që të luftojmë, por ne na ka humbur kjo pjesë.

Çfarë duhet korrigjuar në ndeshjet e radhës? Sulmi nuk po shënon…

E drejtë, mendoj se kemi shumë probleme si skuadër në tërësi. Kemi shumë lojtarë jashtë forme, kjo na bën të vuajmë në fushë, dhe nuk jemi të gatshëm psikologjikisht për ta luajtur një ndeshje.

Çfarë thonë lojtarët kur e kanë kaq të vështirë të përgjigjen në fushë?

Të ishte futbolli me fjalë, do ishim të gjithë kampionë. Nga unë i pari dhe futbollistët, nuk duhet të thonë asgjë. Të vrapojmë në fushë, dhe të fitojmë. Kemi thënë shumë fjalë, por asgjë nuk kemi fituar. Unë dhe lojtarët duhet të bëjmë më shumë. Problemi psikologjik e sjellin rezultatet negative. Duhet të jemi të fortë psikologjikisht të bëjmë ndeshje të mira e të fitojmë.

Provuat gati çdo emër, vuani shumë në linjën e mbrojtjes, por edhe e gjithë faza defensive…

E vërtetë, Tirana ishte më e freskët, por e thashë që nuk është fundi i botës të humbësh një ndeshje, apo nga Tirana. Jam dakord se mund të them që punojmë, ndërrojmë emrat, por në fund e di që është përgjegjësi e imja. Ndoshta nga jashtë i shikoni më qetë dhe më mirë, por ta them sinqerisht më vjen vështirë të them që futbollistët e mi kanë frikë nga humbja dhe të vazhdojnë të gabojnë. Futbolli ka një gjë të mirë, që i tregon në fushë, por ne nuk po tregojmë asgjë.

A ka klauzola penalizuese kur bëhen paraqitje të tilla? Kur flasim për lojtarë që nuk luftojnë, a kanë një problem me autoritetin tënd, të një trajneri të ri?

Pavarësisht se si luajnë futbollistët veteranë, unë nuk heq asnjë presje. Në stërvitje ata janë shëmbuj, se si sillen me mua, apo njëri-tjetrin. Nuk dua alibi, që të gjej gabimet në këto gjëra. Për sa i përket kontratave, kemi edhe ne penalitete nëse nuk arrijmë europën.