Ngatërrimi i himnit në fillimin e ndeshjes mes Francës dhe Shqipërisë ka dëmtuar rëndë imazhin e vendit pritës dhe këtë e konfirmojnë vetë francezët. “Le Figaro” ka përgatitur një speciale që i kushtohej pikërisht kësaj teme dhe gazetarët e saj kanë kontaktuar me pjesëtarë të stafit të Federatës Franceze për të zbuluar prapaskenat e momenteve absurde në fillimin e ndeshjes në Paris.

“U dukëm si idiotë” ishte komenti i thjeshtë i përfaqësuesve të Federatës të cilët kanë shpjeguar më pas se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në stadium. Ata kanë shpjeguar se para ndeshjeve, bëhet programi i punës dhe krijohet një dosje që dërgohet me e-mail për të dhënat para ndeshjeve, ku përfshihen edhe himnet kombëtare.

Secili prej tyre ka një emër dhe në rastin konkret, Federata kishte përgatitur dy dosjet me emrat FRAALB dhe FRAAND, pasi pas Shqipërisë luan ndaj Andorrës.Personat në detyrë nuk i kishin dhënë rëndësi dhe nga mospërqendrimi kishin shkarkuar dosjen e gabuar, duke ngatërruar himnin në stadium.

“Gabim pavëmendje prej fillestarësh’, shpjegojnë nga Federata Franceze. Presidenti i saj, Le Graet, kishte kërkuar menjëherë falje në tribunë, ashtu siç bëri edhe Deshamp pas duelit. Për të treguar dëshirën e mirë, delegacioni francez, sipas “Le Figaro”, i kishte ofruar trajnerit Edi Reja një fanellë të Antuan Grizman.

Por ajo që kishte shqetësuar më shumë në këtë mes drejtuesit e federatës, kishte qenë gabimi i spikerit të stadiumit. “Kjo ishte e papranueshme”, ishte komenti nga Federata Franceze për momentin kur nga altoparlanti u bë e ditur se do të dëgjohej himni i Armenisë.